Ramazani – strumbullar i të njerëzishmes

Ramazani – strumbullar i të njerëzishmes

METIN IZETI

Realiteti i ri shoqëror ka ndryshuar komunikimin dhe distancën sociale, deri në atë masë sa që pothuajse ka shfuqizuar kontaktin fizik. Kjo do të ketë pasoja të tmerrshme psikologjike. Në kohë krize, kur njerëzit mbeten pa mbështetje dhe kur ndjehen pamjaftueshëm të integruar në shoqëri, dhe Durkheim shkruante për këtë në lidhje me fenomenin e vetëvrasjes, njerëzit bëhen të paqëndrueshëm psikologjikisht. Ndodh ajo që ai e quan anomi: prishja e kuadrit normativ nga i cili pasojnë mbytjet psikologjike. Një problem shtesë është se ka një rënie të solidaritetit sepse të gjithë janë kthyer disi drejt vetes. Të gjitha sa më sipër, natyrisht, kishin implikime për jetën fetare. Komunitetet fetare, të cilat sipas definicionit janë të ngadalta dhe konservatore, u detyruan të lëvizin dhe të mendojnë për një realitet të ri dhe përgjigje ndaj këtij realiteti të ri. Por sinqerisht, mendoj se ata veshtire se do ti pergjigjen ketij realiteti dhe per nje moment mendoj se po shfaqet fundi epokal i fesë dhe po fillon epoka e besimit.

Islami ngerthen një grup rregullash strikte. Por kjo nuk do të thotë se ai është i ngurtë, siç e bëjnë qarqe te caktuara sot. Përkundrazi, Islami është i ndritshëm dhe plote hare. Sidomos islami i gjallë e i përditshëm. Lidhja e çështjes se “shpirtërores dhe urtesise” me rreptësinë e rregullave është diçka krejtësisht tjetër. Është çështje kufijsh, e cila nuk është as rreptësisht çështje feje, por me shpesh çeshtje kulture. Njerëzit jo vetëm që nuk mund të funksionojnë pa kufij, por në mënyrë të pandërgjegjshme dëshirojnë kufij. Një botë pa kufij është një botë e shkretëtirës. Nga ana tjetër, kufijtë e tepërt paralizojnë lëvizjen. Islami, siç e kuptoj unë, është një botë me kufij të balancuar.

Per fat te keq, perballemi me një potencial kritik të reduktuar te muslimanët, ku edhe kritikat apo edhe vëzhgimet më të zakonshme perceptohen si “të ashpra”. Çështja e marrëdhënies ndërmjet muslimanëve dhe lirisë është një temë më vete: si ka mundësi që muslimanët, të cilët në mënyrë deklamale i shërbejnë vetëm Zotit, janë bërë kaq të palirë dhe kaq frikacakë të shëmtuar. Dhe me “paaftësinë e muslimanëve për të kapërcyer gardhet e botës së tyre” nënkuptoj se muslimanët, ashtu si besimtarët e traditave të tjera, shpesh nuk janë në gjendje t’i përkthejnë vlerat universale të traditave të tyre në një gjuhë universale. Ky është shkaku i keqkuptimeve të shumta.

Kur bëhet fjalë për dukshmërinë e traditës myslimane të shqiptareve, sigurisht që nuk është mjaft e dukshme. Gjatë tridhjetë viteve të fundit, falë rrethanave historike dhe gjeopolitike, ne kemi pasur një mundësi të madhe për ta bërë traditën tonë të dukshme globalisht. Ne nuk e bëmë atë. Për më tepër, ne promovuam në mënyrë aktive traditat e njerëzve të tjerë në dëm të tonës.

Per shembull, ne nuk kemi menduar per te shtjelluar nje teme shume aktuale, jo vetem per muslimanet por edhe per Evropen, Islami dhe Evropa në përvojën e shqiptareve, qëllimi i të cilit do të ishte t’i prezantojë Evropës, madje edhe botës, autenticitetin tonë. Tradita muslimane shqiptare mund te ishte një projekt i madh kërkimor-artistik-shkencor, në të cilin do te marrin pjesë etnologë, historianë arti, punëtorë të ndryshëm të kulturës etj., me të cilin do të prezantojmë në mënyrë integrale publikun më të gjerë, si në Evropën Perëndimore ashtu edhe në rajon, në formën e ekspozitave përkatëse. Një muze virtual dhe një faqe interneti duhet planifikuar si një depo përfaqësuese e teksteve për traditën tonë. Është fakt se publiku kulturor dhe politik evropian nuk e njeh mjaftueshëm kulturën islame te shqiptareve, per fat te keq edhe ne nuk e njohim.

Besimi nuk është vetem kënaqësi, por edhe dramë e përditshme e të jetuarit: lufta me djajtë në vetvete dhe në botë. Në garën e furishme në të cilën është kthyer jeta njerëzore, njeriu ka nevojë për një pushim. Gjërat e rëndësishme mund të përjetohen vetëm në heshtjen e vetmisë, jo në zhurmën e botës. Një Ramazan ideal do të ishte nëse mund të linim virtualitetin dhe gjerat e tjera për një muaj. Sepse ne jemi zhvendosur plotësisht nga realiteti fizik në hapësira imagjinare dhe rrjete simbolike që e mpijnë njeriun brenda nesh. Ramazani është një mundësi për rigjallërimin fjalë për fjalë të shqisave themelore, rigjallërimin e aftësisë sonë fëmijërore për të ndjerë elementet natyrore dhe botën fizike si të tillë. Cili është kuptimi i leximit të Zbulesës që na fton të vëzhgojmë dukuritë e botës fizike dhe të mendojmë rreth tyre, nëse nuk jemi në gjendje ta ndiejmë fare botën fizike?

Ajo që po me brengos shume ne lidhje me adhurimin është, në fakt, estradizimi i tepruar i Ramazanit që fsheh thelbin e tij. Ramazani është bërë mall. Kjo, përsëri, nuk është diçka e re, nëse kemi parasysh universalitetin e tregut në shoqërinë moderne. Kjo shoqëri ka hequr plotësisht çështjet e rëndësishme dhe ka banalizuar kuptimet më të larta. Besimi dhe pyetjet për kuptimin e jetës janë reduktuar në nivelin e telenoveles televizive. Duke rilexuar tregimin e Kafkës “Artisti i uritur” më shkoi në mendje se herët a vonë disa media do të prezantojnë transmetimin e drejtpërdrejtë të agjërimit. Kamera kap personazhe të famshëm fetarë ndërsa agjërojnë – imagjinoni! Terry Eagleton shkruan bukur për “kullimin” e vazhdueshëm të kuptimit nga sfera publike, si rezultat i së cilës kuptimi duhet të riprodhohet vazhdimisht. Prej këtej rrjedh ostracizimi i fesë, nxitimi i guruve, “masazhistëve” shpirtërorë dhe strehëve të jetës. Forcat tregtare (dhe politike!) kolonizojnë në mënyrë agresive vendet me stoqe tradicionale të kuptimit. Kjo është arsyeja pse Ramazani është kaq interesant për mediat. Por është një pompim artificial i sensit. Me pak fjalë, është një ide e gabuar, pasi spiritualiteti duhet të jetë diçka ekzotike, sentimentale dhe ezoterike, dhe jo diçka e përditshme dhe e zakonshme.

Kuptimi i Ramazanit duhet të pasqyrohet në mbledhjen dhe pjekurinë individuale. Dhe meqenëse gjërat e rëndësishme mund të përjetohen vetëm në heshtjen e vetmisë, dhe jo në zhurmën e botës, “Ramazani ideal do të ishte nëse do të mund të linim kabarete dhe reklamimet e tjera për një muaj”. Duke qenë se jetojme ne nje perıudhe te individualizmit te sforcuar, Ramazani është gjithashtu një mundësi për të rinovuar kontaktet sociale dhe takimet e drejtpërdrejta.

Ajo që shumë prej nesh mund të harrojnë ose të humbin nga sytë është se agjërimi është përshkruar sa për ripërtëritjen e shpirtit, aq edhe për transformimin e shoqërisë përmes së mirës. Ne jetojmë versionin më të mirë të vetes në Ramazan, duke u dashuruar me të pavarësisht ndalimeve dhe kufizimeve të tij.

Ajo që mund të befasojë disa është se muslimanët në fakt e shijojnë Ramazanin dhe se shumë ndihen të trishtuar kur mbaron muaji. Na mungon leximi i përditshëm i Kuranit, lutjet e gjata të natës dhe përpjekja jonë për të qenë bujarë dhurues të pasurisë, fjalëve dhe shpirtit tonë për njerëzit përreth nesh.

Në fund, arrijmë të kuptojmë se lumturia e vërtetë është të ushqejmë shpirtin dhe të jemi të kënaqur me atë që kemi, se lutja është më e mirë se gjumi dhe se ndarja të varferve është më e mirë se shpenzimi i pa kontrol per veten

Ajo që na bën më të vetëdijshëm për Zotin është vetëdija për hiret e Tij. Kur bëhemi të vetëdijshëm për bekimet e Zotit, ne bëhemi më të vetëdijshëm për përdorimin e atyre bekimeve. Vëmë re ata që nuk kanë akses të përditshëm në bekimet nga të cilat ne abstenojmë vullnetarisht gjatë agjerimit. Ne bëhemi më të vetëdijshëm për t’i drejtuar ato bekime tek ata që përndryshe mund t’i harronim.

Agjërimi është urdhëruar për shkak të dobive të shumta që sjell. Disiplina fizike e agjërimit na ndihmon që të jemi më të vetëdijshëm edhe për konsumin tonë shpirtëror: Pejgamberi i Zotit Muhamedi, paqja qoftë mbi të, thotë se, për shembull, ai që përmbahet vetëm nga ushqimi dhe jo nga të folurit e keq, gënjeshtra apo thashethemet nuk përfiton nga agjërimi.

Përveçse ia mohojmë vetes atë që është e ndaluar për trupin tonë, agjërimi na ndihmon edhe të jetojmë pozitivisht. Duke qenë se mëkati lind nga mosmirënjohja, agjërimi na bën më të vetëdijshëm për bekimet tona, dhe për këtë arsye më mirënjohës dhe më të prirur për të mirën. Rezultati ose qëllimi përfundimtar i agjërimit në muajin e Ramazanit, sipas Kuranit, është “të plotësosh një numër të caktuar ditësh dhe të lavdërosh Allahun që të udhëzoi në Rrugën e Drejtë dhe të jesh mirënjohës.” (El -Bekare, 184)

Një njeri me mungesë devotshmërie shpesh është problem për veten e tij, dhe një njeri me paraqitje te devotshmisë të tepërt është shpesh problem për njerëzit që e rrethojnë. Prandaj devotshmëria më e bukur është devotshmëria e moderuar, e matur dhe e arsyeshme, e pavërejteshme, e ndjeshme dhe e natyrshme….

 

 

MARKETING