Ramazan Fetahu: Ramazani si pasqyrë e shpirtit

Ramazan Fetahu: Ramazani si pasqyrë e shpirtit

 

Shkruan: Ramazan Fetahu

A jom Zoti juj u tha

Ti je Rab qeter s`ka”

Sheh Mala

“Zot’i vërtetë është më afërë njeriut se njeriu vet”   – Naim Frashëri

Njeriu është “qenie religjioze” dhe si i tillë konceptin për botën tjetër e ka të mbjellur në thelbin e tij. Feja dhe Arti janë dy fenomene të shpirtit – thotë Hegeli, të cilat specifikisht merrën me Idenë e të përtjeshmës. Aspekti social i fesë te njeriu krijon rutinën e përditshmërisë, kurse dimensioni artistik i fetarisë e thyenë këtë rutinë, e zvogëlon rrethin, dhe e ngrit njeriun në një nivel më të lartë. E them këtë pasi se, në Ramazan njeriu nuk largohet vetëm nga haramet, por largohet edhe nga hallallet, gjë e cila nuk ndodhë jashtë Ramazanit. Për këtë arsye, mendoj se Ramazani nuk është veprim i dallimit nga të qenit jo fetar në të qenit fetar, por, për njeriun fetar është akt i të bërit akoma më fetar, ose rrugë drejtë përjetimit artistik të fetarisë. Për dallim nga ibadetet tjera të cilat janë të specifikuara në kohë dhe hapësirë, si p.sh Haxhi vetëm në Mekë dhe Namazi në kohën e vet, përgjatë agjërimit e tërë qenia e njeriut zhytet në ibadet, tërsia e kohës dhe hapësirës shëndërrohen në elemente integrale të adhurimit. Kjo përmasë qëndron mbi çdo lloj spekulimi teologjik ose epistemik, ajo është ndjenjë unike që ndodh “këtu” dhe “tani”, dhe i tejkalon limitet e gjuhës, sikurse e thotë Tahir efendia:

“Shka dihet (përjetohet) me hal (gjendje shpirtërore)

Sun fshihet me fjalë”

Agjërimi si abstenim fizik, njeriut i ofron projektin autonom etik, që në kuptimin Kantian të fjalës do të thuhej se `njeriu bëhet qenie racionale` dhe si i tillë është integruar në mbretërinë qiellore. Bota vihet në shërbim të njeriut. Ajo rri përballë si objekti, kurse njeriu si Subjekt i lirë, autonom, i pavarur dhe i abstenuar nga natyra, e gropos truallin e tij ontologjik si Qenie në botë`. Abstenimi nga bota fizike do të thotë fitore e ndërgjegjjes kundrejtë instiktit dhe triumf i shpirtit kundrejtë arsyes. Në vetvete asketizmi është akt jo-logjik, zaten arti fillon aty ku mbaron logjika. Pikërisht këtu qëndron ideja e lirisë, si potencial autonom i lindur. Ramazani synon ta ndërtojë një Njeri Etik, kurse etika siç e theksuam ndërtohet mbi postulatin e lirisë, e liria qëndron mbi Idenë e Pafundësisë. Për këtë arsye Levinasi në librin e tij ‘Etika dhe Pafundësia` thotë se njeriu mund të jetë i lirë dhe etik, vetëm atëherë kur i realizon ato përbrenda, kur e krijon autonominë dhe harmoninë e tij me vetën. Ky fakt e dallon njeriun nga çdo lloj krijese tjetër, pasi se origjina e tij është primordiale.

“Ti je një dhurat nga arka pa fund” (hfz Ali Korça)

Në një thënie profetike thuhet se për agjëruesin ka dy çaste të gëzimit. I pari është çasti i iftarit, ndërsa i dyti takimi me (bukurinë e) Allahun në botën tjetër. Krahasimi i ngopjes fizike (iftari), me ngopjen (përmbushjen) shpirtërore (takimi me Allahun) nxjerr në pah se në aspektin esencial të fjalës, në çastin e iftarit për agjëruesin bota asbtragohet, shëndërrohet në një lloj skene artistike. Njeriu ekzaltohet plotësisht, e përjeton katarzën e tejmbushjes shpirtërore. Këtë çast, poeti ynë Muçi Zade e ilustron në këtë mënyrë:

“Mos më lë bë iftar thatë,

Imzot, mos më lërë pa kahve”

Kafja është simbolikë e luksit. Agjëruesi përmes “luksit”, shëndërrohet në një artist i cili e ka tejkaluar çdo lloj përmase epistemologjike apo teologjike. Rruga e tij e vetme është katarza e pranisë së pandërprerë hyjnore.

`Aty ku nuk ekziston materia (dhe koha), krijuesi dhe e krijuara janë Një – thotë Aristoteli. Përveç abstragimit të materies agjëruesi e abstragon edhe kohën. Në Ramazan gjendet një natë (nata e kadrit) e cila siç përshkruhet në Kuran është më e vlefshme se “Njëmijë muaj” ose Një mijë muaj gjenden brenda kësaj nate. Pra ndodh stepja e kohës dhe shkatërrimi i imazhit lëvizë të përjetësisë, e amshueshmja e ka thithur njeriun në gjirin e saj, pa ia zhbërë thelbin. Kjo ndodh pikërisht në çastet e Ramazanit, sepse misitika e Rmazanit e ofron një gjë të tillë.

Kurani si fjalë hyjnore në zbritjen graduale të tij e zbret edhe Njeriun “nga arka e pafund” drejt botës kontigjentale, në këtë mënyrë gradualisht duke e ndërtuar atë. Lindja e kohës si kohë lineare nuk është gjë tjetër veçse akti gradual i rënies apo krijimit, sepse koha nuk ka qenë as para as mbrapa krijimit, koha është vet akti i krijmit, pra vjen paralel me botën e krijuar.

Në aspektin horizontal Kurani ka zbritur në një ditë dhe datë të shënuar, kurse në aspektin vertikal ai vazhdon të zbresë vazhdimisht. Ana konkrete e Kuranit ishte karakteri i Pejgamberit a.s pa të cilin Kurani do të ishte i paqartë. Pra Kurani dhe Pejgamberi a,s janë dy dimensionet e hapjes së Zotit. Kështu që Nata e Kadrit dhe e Miraxhit janë dy çarje të kohës. Tek të dyja abstragohet koha, dhe njeriu (në këtë rast Pejgamberi a.s) mbetet “i vetëm me të Vetmin”. Aty nuk ka dy, ka vetëm Një, aty ka dritë pa hije sepse realisht aty nuk ka mungesë egzistence.

A ka nur të ketë hije

Ajy ish nur Perëndije. (Hafiz Ali Korça)

Mevlana simbolikisht thotë se Kurani është libër dashurie. Në dashuri nuk ka fjalë, ka ndjenja dhe nuk ka precedan ka vetëm çaste ekstatike të momentit, ka hapje-mbyllje ontologjike. E njëjta gjë është edhe për fjalën hyjnore. Realisht tekstet e shenjta janë të tilla, ato nuk kanë një metodologji hermeneutike të caktuar të interpretimit, sepse bëhet fjalë për një hapësirë të pashkelur më parë, nuk ka precedan orientues. Për këtë arsye Kurani mbetet përherë i virgjër. Ai interpretohet vazhdimisht përmes gjendjeve shpirtërore. Kurani i shfaqet shpirtit e shpirti e bartë deri tek gjuha.

Metafizika e Ramazanit njeriut i mëson ta njoh vetën nga dimensioni i Zotit, pra vetën hyjnore si pjesë e nurit Muhamedije, sepse vetëm si i tillë ai ka mundësi ta njohë Zotin dhe ta riformësojë veten si qenie në botë. Në këtë aspekt mund të themi se Kurani nuk i ka zbritur Pejgamberit a,s por – Kurani është zbritur përmes Pejgamberit a.s.

Nuri nurit Muhamedit

Shkoj vetëm nde i vërteti

I bëri sexhde Rahmanit

Thelb i thjeshtë i Kuranit. (hfz.Ali Korça)

Dy elemetet kryesore të Ramazanit për të cilat bëmë fjalë deri tani, Dashuria dhe Kurani, janë dy elemente kryesore tek të cilat shpirti i njeriut e gjen vetën. Ato i shërbejnë atij si pasqyrë orientuese në rrugën drejtë Hakut.

 

MARKETING