Tetë (8) Marsi i pafund

Tetë (8) Marsi i pafund

Svetlana Slapshak

Tetëshi i shtrirë ( ∞ ), 8 marsi i pafund… kurrë i mirëpritur, kurrë i vjetërsuar, kurrë i lumtur, kurrë i plotë. Pse është e vetmja festë që çdo herë është e ndryshme, sa herë që ngre pikëpyetje, sa herë prej tij kërkohet diçka tjetër, sa herë shtrohet pyetja përse një festë e tillë, sa kohë do të festohet, a nuk është tejkaluar?

Pyetje të tilla nuk i bëhen asnjë feste tjetër, festë shteti, fetare, për të vdekurin. Përkundrazi, bërja e pyetjeve për kuptimin e të gjitha festave të tjera mund të jetë vetëm heretike, tradhtare etj.
Femrat nuk e kanë problem që t’u bëhen pyetje, as kritikat – përkundrazi – janë mësuar me gjithçka dhe nuk habiten, kur është një festë ato festojnë, kur është e pashmangshme ankohen. Ne e urrejmë më shumë harenë atakuese dhe karafilat e sfilitur, dhe veçanërisht personazhet që i bartin sikur krahu i tyre është në allçi. Nuk dihet se kush kë po uron dhe ajo më e thjeshta, pse 8 Marsi u bë festë, shmanget me kujdes. Me pak fjalë, 8 Marsi është vërtet i pafund në kuptime dhe rituale, ndoshta edhe i pathyeshëm.

Pesëdhjetë vjet më parë, 8 Marsi për mua dhe mikeshat e mija ishte kryesisht qesharak. Dekori që përdorej nga femrat ishte transparent, i dukshëm, publik, por në fund duhej përvjelë mëngët për të larë enët e përdorura. Dhe përse sot shumë prej nesh konsiderojnë që 8 Marsi ka më kuptim se kurrë më parë?
Përgjigja është e thjeshtë: 8 Marsi është haptazi socialist, sepse mbart të gjitha socializmat që nga shekulli i 19-të e këtej, të gjitha rrënojat e socializmave, gjithçka të parealizuar dhe pothuajse të harruar, gjithçka që është lehtësisht e kuptueshme, frymëzuese, e dobishme dhe e zbatueshme nga socializmi.

Para së gjithash, ideja e barazisë, e një shteti social me shërbime bazë falas – shëndetësia, arsimi, kultura, vendbanimi, lëvizshmëria, drejtësia në shpërndarjen e të mirave materiale, sundimi i ligjit, parimi i përgjithshëm i solidaritetit, paqes… pra, socializmi që mbështet pa kompromis feminizmin.
Historikisht, vetëm feminizmi mund të krijonte lirinë e zgjedhjes së llojit, seksualitete të ndryshme, të drejtat dhe privilegjet e pakicave, demokracinë ekologjike. Vetëm feminizmi nuk urren asnjë grup të ri shoqëror, nuk kërkon besnikëri, nuk i përmbahet “shkronjës”, nuk u kushton vëmendje ëndrrave të lagura për censurën kudo dhe nuk ushqen nostalgji për asnjë variant socializmi – sepse socializmin në formën e saj themelore mbart në vete.
Feminizmi nuk mund të jetojë në pallankë, sepse i duket ngushtë, nuk mund të jetojë me elitizmin, me monizmin, me mendjelehtësinë, sidomos jo me patriarkalizmin.

Feminizmi rinovohet te të varfërit, lëpin plagët në alternativë, mendon për qoshen dhe përqafimin e ngrohtë, rinovohet në kuzhinë dhe bën politikë në rrugë. Dhe këto janë vendet ku lindin socializmat.

Prandaj nuk ka rëndësi nëse sot është 8 marsi apo 35 maji. Festa është e pafund, sikurse janë të pafundme natyra dhe dashuria, dhe për këtë arsye luftimet për natyrën dhe dashurinë janë të pakushtëzuara, terminale dhe të pa mëshirta, të paktën aq sa janë të pamëshirë ata që urrejnë natyrën dhe dashurinë.
Në këtë moment, gjëja më e rëndësishme është lufta për paqen: si do të ishte nëse rreth katër miliardë gra dhe aleatët e tyre do të ngrinin zërin sot dhe do të kërkonin paqe, të paktën në Ukrainë dhe në Palestinë?
Më 3 mars 2003, rreth një milion gra dhe burra protestuan kundër luftës në Irak duke lexuar ose interpretuar nëpër botë komedinë e Aristofanit Lysistrata. Në të, gratë në dy palët ndërluftuese fillojnë një grevë seksuale për t’i detyruar burrat t’i japin fund luftës.

Kjo është greva për sot! Nuk dëmton askënd, nuk cenon Kushtetutën, nuk kërkon organizim të veçantë, roje, aq më pak polici, nuk ndërhyn në trafikun publik dhe nuk bëhet në rrugë. Në favor mund të ishte edhe kisha, sepse përkon me agjërimin e Pashkëve. Skandaloze? A është ndoshta më skandaloze se gjenocidi? Gjenocidi na përndjek, shkatërron arsyen, sigurisht në mënyrë të pariparueshme. Si ta ruajmë, kur mediat çdo ditë na japin numra të rinj, sikur të ishte garë dhe çdo ditë mbërrijnë “rezultate” të reja!

Kështu që ne u zgjuam më 8 mars në një pafundësi të re dhe bota nuk duket fare më mirë se dje. Le të bëjmë, duke pirë kafe, një listë me gjithçka që duhet hedhur nga bota, të gjithë kriminelët dhe të gjitha marrëzitë më të këqija, ndoshta edhe një listë të lëshimeve dhe gabimeve tona. Kur rendisim gjithçka, nëse nuk e kemi bërë tashmë, le të bëhemi feministë/feministë sepse kjo, për dallim nga lista, është diçka shumë e thjeshtë. Nuk ka anëtarësim, nuk ka karta anëtarësie, askush nuk ju vlerëson, nuk i vërteton asgjë askujt. Menjëherë bëheni të barabartë, kilometrazhi është i parëndësishëm, hierarkitë nuk zbatohen, nepotizmi nuk ju ndihmon, ju intereson mendimi i shumicës, përvoja juaj nuk është as më e madhe dhe as më e vogël se përvoja e të tjerëve. Sa më i larmishëm dhe unik, aq më fitues, sapo të vendosni për një qëllim. Sepse ju jeni në anën e pafundësisë, ∞ Marsit (të shtrirë).

Përktheu :
Nexhat Ibrahimi

MARKETING