Mbetet ëndrra e madhe e Milanit dhe Juventusit, zbulohet prioriteti i Lewandovskit për verën
Robert Levandovski po luan ndeshjet e tij të fundit si futbollist i Barcelonës para se të përfundojë kontrata që ka me katalanasit dhe të jetë një lojtar i lirë. Situata po monitorohet me kujdes nga shumë klube si Milan e Juventus në Itali, por edhe ata të Arabisë Saudite apo MLS.
Megjithatë, prioriteti i sulmuesit polak, sipas “Mundo Deportivo”, është vetëm qëndrimi në Katalonjë, nëse gjendet një akord i përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit. Gazeta katalanase ka zbuluar se në ditët e para të muajit maj, menaxheri i futbollistit, Pini Zahavi, do të udhëtojë për të takuar drejtuesit e klubit.
Këta të fundit i kanë ofruar mundësinë Levandovskit që të zgjatë qëndrimin e tij në klub edhe një tjetër vit, por nuk ka një akord financiar mes palëve.
Raportohet se Levandovski do të dëshironte të qëndronte edhe një tjetër edicion te Barcelona, pasi mendon se mund të luajë përsëri në nivelet më të larta. Por mbetet të gjendet akordi financiar i cili është i rëndësishëm për klubin që vazhdon të jetë në telashe të mëdha ekonomike.

