Mbërrijnë 26 mijë doza shtesë të vaksinave kundër gripit, mbi 28 mijë qytetarë janë vaksinuar

Mbërrijnë 26 mijë doza shtesë të vaksinave kundër gripit, mbi 28 mijë qytetarë janë vaksinuar

Ministria e Shëndetësisë njofton se në vend kanë mbërritur edhe 26 mijë doza shtesë të vaksinave kundër gripit sezonal, të cilat tashmë kanë filluar të shpërndahen në pikat e vaksinimit në të gjithë vendin.

Sipas të dhënave të Ministrisë, deri më tani 28.035 qytetarë kanë marrë vaksinën kundër gripit sezonal, ndërsa përmes aplikacionit elektronik “Termini Im” janë regjistruar gjithsej 79.011 persona.

Nga Ministria bëjnë të ditur se janë caktuar 54.778 termine për vaksinim, ndërsa 23.225 termine janë planifikuar për periudhën në vijim. Realizimi i termineve të caktuara deri më tani arrin në 88,9 për qind.

“Vaksinimi është falas dhe po kryhet në 31 pika vaksinimi. Përparësi u jepet personave mbi 65 vjeç, personave me sëmundje kronike, punonjësve të kujdesit shëndetësor, grave shtatzëna dhe fëmijëve të moshës nga gjashtë muaj deri në pesë vjeç”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Njëkohësisht, Ministria u bën thirrje qytetarëve që bëjnë pjesë në grupet e rrezikut të shfrytëzojnë mundësinë për t’u vaksinuar kundër gripit sezonal.

Po ashtu, qytetarëve që kanë pranuar SMS me termin për vaksinim, por që nuk kanë mundësi të paraqiten, u bëhet thirrje ta anulojnë terminin, në mënyrë që i njëjti të jetë në dispozicion për një pacient tjetër.

MARKETING