Mariçiq: Së bashku të tregojmë se vizioni i anëtarësimit në BE deri në vitin 2030 është real

Mariçiq: Së bashku të tregojmë se vizioni i anëtarësimit në BE deri në vitin 2030 është real

 Të gjithë së bashku duhet të tregojmë se vizioni dhe dëshira për ta bërë Maqedoninë e Veriut një vend anëtar të BE-së deri në vitin 2030 është real dhe më i rëndësishëm se çdo gjë kur bëhet fjalë për të ardhmen tonë, tha sot nga Qeveria zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.

Duke folur për rrjedhën e procesit të skriningut, Mariçiq informoi se skriningu është në një fazë të avancuar dhe po zhvillohet siç është planifikuar sipas kalendarit të përcaktuar bashkërisht me Komisionin Evropian.

“Kemi përfunduar me sukses klasterin kyç, themelor “Vlerat Themelore”, dhe nga e hëna fillojmë takimet dypalëshe të shqyrtimit për tre kapituj – e drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime, e drejta e shoqërive tregtare dhe e drejta e pronës intelektuale, këto tre janë pjesë të rëndësishme të Klasterit nga “tregu i brendshëm”, thotë Mariçiq.

Me skriningun, siç theksoi ai, marrim një prezantim të saktë analitik të situatës në lidhje me harmonizimin e legjislacionit tonë me atë evropian, por në të njëjtën kohë vërejmë edhe mangësitë dhe përcaktojmë detyrat e radhës në të cilat duhet të punojmë në periudhën e ardhshme për të arritur standardet evropiane në një periudhë afatgjatë.

“Për klasterin e parë, do të kërkojmë që raporti i skriningut të na dorëzohet më së voni në fund të tre muajve të ardhshëm, deri në fillim të pranverës, sepse do të na ndihmojë në përgatitjen e tre dokumenteve kyçe deri në anëtarësimin tonë në BE – udhërrëfyesi për shtetin e së drejtës, udhërrëfyesi për reformën në administratën publike dhe udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike, të cilat janë kushte për hapjen e klasterit të parë. Gjithashtu, në kuadër të udhërrëfyesit për sundimin e ligjit, do të duhet të përgatisim një plan veprimi për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të pakicave dhe komuniteteve me masa specifike për mosdiskriminimin, luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe të drejtën për arsim”, informon Mariçiq.

Ai shtoi se në koordinim me delegacionin e BE-së, janë duke përgatitur një plan reformash për këtë vit deri në raportin e ardhshëm, i cili do të sigurojë përmbushjen e prioriteteve kyçe të reformës gjatë vitit 2023. Siç theksoi ai, përpara nesh është një proces afatgjatë, masiv, kompleks dhe shumë domethënës nga disa aspekte.

Ndryshimet kushtetuese në periudhën e ardhshme do të aktualizohen në debate me organizata civile dhe ekspertë

Ndryshimet kushtetuese gjatë javëve apo muajve të ardhshëm do të aktualizohen në debate me organizatat civile dhe ekspertët në lidhje me përmbajtjen e tyre por edhe në lidhje me rëndësinë e tyre politike, tha sot Mariçiq.

Sipas Mariçiqit, rëndësia politike është shumë më tepër se ndryshimet kushtetuese të një pjese të preambulës dhe një amendamenti të Komisionit për Marrëdhënie ndërmjet Komuniteteve, por, siç përmendi, këto ndryshime kushtetuese kanë kuptimin e një “drite të gjelbër” praktike nga ana jonë, nga Kuvendi ynë, për vazhdimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

“Çështja për ndryshimet kushtetuese është një çështje që tashmë është hapur. Ne tashmë bëjmë konsultime në nivel ekspertësh, ndërsa patëm edhe një takim të liderëve në Kuvend që e inicoi atë dialog. Ndryshimet kushtetuese gjatë javëve apo muajve të ardhshëm do të aktualizohen në debate me organizatat civile dhe ekspertët por edhe lidhur me përmbajtjen e tyre dhe lidhur me rëndësisë së tyre politike”, tha Mariçiqi.

Ai beson se ky debat shoqëror që do të zhvillohet ndërmjet organizatave civile dhe opinionit akademik me komunitetin e biznesit rreth rëndësisë politike dhe ekonomike, por edhe rëndësinë e këtyre ndryshimeve kushtetuese në afat të gjatë për shtetin tonë, do të jenë një hyrje në një diskutim institucional dhe vazhdimi i kësaj procedure brenda Kuvendit.

“Duhet të jemi të gatshëm dhe të gjithë të japin kontribut në këtë proces, që ai të mund edhe me sukses të fillojë, por më me rëndësi, edhe me sukses të përfundojë”, shtoi Mariçiqi.

Lidhur me pyetjen se a është paralajmëruar takim të liderëve në të cilin do të bisedohet për amendamentet kushtetuese, kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi se për momentin nuk është planifikuar, por nëse paraqitet nevoja atëherë takimi do të caktohet.

Pres raport pozitiv për procesin e skriningut, me një sërë detyrash që duhet t’i realizojmë

Pres që të marrim raport pozitiv nga Komisioni Evropian për procesin e skriningut, por edhe ai të përmbajë edhe një sërë detyrash që duhet t’i përfshijmë në udhërrëfyes, deklaroi zëvendëskryeministri

“Atë që presim është që të ketë një vlerësim pozitiv për arritjet e deritanishme. Çështje të mëdha janë të lidhura me strategjinë e re për reforma në gjyqësor, para së gjithash drejtpërdrejt me kapitullin 23”, deklaroi Mariçiqi në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve nëse gjatë procesit të skriningut ka pasur vërejtje nga BE-ja për gjendjen në gjyqësor.

Mariçiqi theksoi se gjatë skriningut janë marrë pyetje rreth metodës dhe rezultateve të punës së Prokurorisë për Krim të Organizuar, si dhe pyetje konkrete rreth për buxhetin dhe mbështetjen në gjyqësor, të cilave u është përgjigjur nga ana jonë.

“Më duhet të pranoj se Kapitulli 23 kaloi si një ndër skriningjet më të suksesshme. Patëm 40 prezantime me tema të ndryshme dhe aspak nuk ka pasur diskutim për asnjë skandal, por ka pasur pyetje të thelluara për funksionimin e institucioneve dhe për rezultatet në politika të cilat vetë i kemi deklaruar dhe në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe komuniteteve, diskriminimin dhe funksionimin e gjyqësorit, tha Mariçiqi, duke theksuar se këtyre pyetjeve nuk u janë përgjigjur vetëm përfaqësuesit e qeverisë, por edhe të gjykatave, Prokurorisë dhe KSHPK-së.

Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane shtoi se Bullgaria deri më tani nuk ka theksuar ndonjë kërkesë apo çështje të veçantë gjatë skriningut dypalësh, ndërsa për modelin zgjedhor theksoi se nuk është pjesë e procesit të skriningut, sepse BE-ja këtë çështje ua le preferencave dhe vendimit politik të çdo shteti.

“Ekziston vetëm një aspekt për të cilin kujdeset procesi i skriningut rreth zgjedhjeve, ndërsa ai është zgjedhje të drejta, demokratike dhe të lira që lidhen me rekomandimet dhe standardet e OSBE/ODIHR-it”, tha Mariçiqi.

Ai theksoi se një pjesë e këtyre rekomandimeve tashmë janë zbatuar me ndryshimet në Kodin Zgjedhor para zgjedhjeve të fundit lokale, por mbesin edhe ato rekomandime që kanë dalë nga këto dhe zgjedhjet e mëparshme parlamentare.