Siljanovska-Davkova në Sofje: Duhet të ringjallim frymën e bashkëpunimit rajonal
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova bëri thirrje për ringjalljen e frymës së bashkëpunimit rajonal dhe sipas saj kthimin te parimet mbi të cilat u themelua para tre dekadash Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), transmeton Anadolu.
Siç njofton kabineti i presidentes, Siljanovska-Davkova gjatë fjalimit të saj në Samitin e SEECP-së në Sofje iu referua sfidave me të cilat përballet Evropa Juglindore.
Ajo vlerësoi se emigrimi masiv i të rinjve, plakja e popullsisë, prapambetja ekonomike dhe përkeqësimi i rrethanave gjeopolitike kërkojnë një udhëheqje të guximshme dhe të përgjegjshme, të udhëhequr nga interesat e përbashkëta dhe solidariteti, e jo vetëm nga interesat e ngushta.
Sipas saj, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) duhet të mbështetet në kriteret e Kopenhagës, ndërsa ritmi i procesit të anëtarësimit duhet të përcaktohet nga përparimi në zbatimin e reformave.
Në fjalën e saj, thuhet në njoftim, Siljanovska-Davkova citoi shkrimtarin bullgar Georgi Gospodinov, i cili ka thënë se “kur dyert e së ardhmes mbyllen, e kaluara bëhet atdheu i vetëm”. Ajo paralajmëroi për nevojën e “deballkanizimit përmes evropianizimit”.
Presidentja maqedonase theksoi se integrimi evropian është një domosdoshmëri natyrore, gjeopolitike dhe e sigurisë, duke shtuar se një Ballkan i qëndrueshëm, i begatë dhe evropian është në interes të të gjitha vendeve të rajonit, por edhe të vetë Evropës.
Siljanovska-Davkova bëri thirrje për përgjegjësi rajonale si garanci për ecjen drejt një të ardhmeje të përbashkët të parashikueshme dhe të sigurt, duke theksuar se suksesi i secilit shtet duhet të shihet si sukses i të gjithë rajonit.
Ajo shtoi se konkurrenca mes vendeve duhet të zhvillohet në fushën e dijes, inovacionit, kulturës dhe zhvillimit ekonomik, e jo përmes bllokadave dhe ndasive.

