Maqedonia e Veriut pranoi mbështetje financiare në vlerë prej 80 milionë euro nga BE

Maqedonia e Veriut pranoi mbështetje financiare në vlerë prej 80 milionë euro nga BE

Maqedonia e Veriut ka pranuar mbështetjen e premtuar financiare në vlerë prej 80 milionë euro nga Bashkimi Evropian (BE) për përballimin e krizës energjetike.

Ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer, mori pjesë në një ngjarje të organizuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ku përveç kryeministrit Dimitar Kovaçevski, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të tjerë të qeverisë dhe drejtues të institucioneve dhe kompanive nga sektori i energjisë.

Zv/kryeministri për Integrime Evropiane, Bojan Mariçiq, ministri i Financave, Fatmir Besimi, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, secili në sferën e tyre prezantuan detajet e masave kundër krizës dhe efektet e tyre.

Në konferencën për media pas ngjarjes, kryeministri Kovaçevski theksoi se masat e qeverisë dhe mbështetja financiare evropiane dhanë rezultate, të cilat parandaluan rritjen e madhe të çmimeve të energjisë dhe mundësuan furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.

“Këto mjete tashmë janë në dispozicion dhe janë pjesë e pakos për masat kundër krizës në vlerë prej mbi 760 milionë euro. Kjo mbështetje është më e larta në rajon dhe kjo është konfirmuar nga Banka Botërore. Për buxhetin e këtij viti, ne kemi ndarë 225 milionë euro si mbështetje për përballimin e krizës energjetike”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se kriza energjetike është kthyer në një mundësi, pasi janë rritur ndjeshëm investimet në burimet e rinovueshme të energjisë.

Ambasadori i BE-së David Geer në fjalën e tij tha se BE-ja sot përmbush premtimet e dhëna dhe konfirmon vlerat e saj fundamentale.

“BE dëshmon edhe një herë se është këtu për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Në tetor të vitit të kaluar, presidentja e Komisionit Evropian (Ursula von der Leyen) premtoi ndihmë prej 80 milionë euro për qytetarët që po përballen me vështirësi me rritjen e çmimeve të energjisë, e cila është pasojë e agresionit rus në Ukrainë. Ky ishte një gjest solidariteti midis BE-së dhe vendeve të ardhshme anëtare, sepse ne kujdesemi”, tha Geer.

Ai shtoi se kjo është një mbështetje praktike financiare për kategoritë e qytetarëve në nevojë, si dhe për kompanitë dhe institucionet vitale.

Ambasadori Geer gjithashtu tha se këto 80 milionë euro janë vetëm një pjesë e pakos prej 1 miliardë eurosh që BE ka përgatitur për Ballkanin Perëndimor. Pjesa më e madhe e kësaj pakoje, theksoi ai, është tashmë në dispozicion për të mbështetur investimet për tranzicionin e gjelbër.

MARKETING