Mamdani: New Yorku po shqyrton autoritetin për arrestimin e Netanyahut gjatë vizitës së tij në OKB
Kryetari i Bashkisë së New Yorkut, Zohran Mamdani, ka deklaruar se administrata e tij po shqyrton nëse ka autoritet ligjor për të arrestuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, nëse ai viziton qytetin për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në muajin shtator, transmeton Anadolu.
“Besoj se kryeministri Netanyahu e ka vendin në Hagë. Ai është një kriminel lufte i akuzuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare”, tha Mamdani në një podkast të The New York Times.
Mamdani tha se është në “një bisedë aktive” me Departamentin Juridik të New Yorkut për të përcaktuar nëse ka autoritetin për t’i udhëzuar Departamentit të Policisë së New Yorkut (NYPD) që të ndalojë një lider të huaj.
“Çfarëdo që ligji më lejon të bëj në New York, atë do të bëjmë, por nuk do të hartojmë ligjet tona për këtë qëllim”, tha ai.
Gjatë fushatës së tij për kryetar bashkie, Mamdani kishte deklaruar më herët se do të përpiqej të zbatojë urdhër-arrestin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare ndaj Netanyahut nëse lideri izraelit do të vizitonte New Yorkun.
Netanyahu e hodhi poshtë këtë mundësi në një intervistë të fundit me drejtuesin radiofonik Sid Rosenberg, duke e akuzuar Mamdanin se mbështet Hamasin.
“Mendoj se ai duhet të shikojë se kë po dënon dhe kë po lavdëron. Ai po dënon Izraelin, të vetmen demokraci që qëndron krah për krah me vlerat amerikane”, tha Netanyahu.
Mamdani ka dënuar vazhdimisht fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza, ndërsa ka dënuar gjithashtu sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit 2023.
Në intervistë, Mamdani kritikoi gjithashtu politikën amerikane ndaj Gazës, duke theksuar se “është e vështirë të gjendet një qasje politike më e dështuar sesa ajo që vendi ynë ka ndjekur ndaj Gazës dhe Palestinës”.
Ai gjithashtu shprehu mbështetje për mundësinë që përfaqësuesja demokrate Alexandria Ocasio-Cortez të kandidojë për presidente në vitin 2028, mbrojti udhëheqjen e komisioneres së Policisë së New Yorkut, Jessica Tisch, kritikoi politikat e emigracionit të presidentit Donald Trump, ndërsa mbështeti bashkëpunimin në rastet e krimeve të rënda, dhe tha se përballueshmëria e jetesës mbetet sfida kryesore për banorët e New Yorkut.

