LSDM: Shitja e pronës së sekuestruar të Gruevskit nuk mjafton, pasuria kryesore është jashtë vendit
LSDM akuzoi se, në një kohë kur qytetarët po përballen me vështirësi ekonomike dhe të ardhura të ulëta, shteti po përpiqet sërish të shesë një pjesë të pronës së sekuestruar të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.
Sipas partisë, bëhet fjalë për apartamente dhe prona me vlerë disa milionë euro, ndërsa pretendohet se Gruevski dhe familja e tij disponojnë pasuri shumë më të mëdha jashtë vendit.
“LSDM” vlerëson se, ndërkohë që qytetarët përballen me borxhe dhe një pagë minimale prej rreth 400 eurosh, Gruevski vazhdon të jetojë në Hungari, në vend që të vuajë dënimin në burgun e Idrizovës.
Partia akuzon VMRO-DPMNE-në dhe kryeministrin Hristijan Mickoski se nuk kanë ndërmarrë hapa për ekstradimin e Gruevskit dhe se nuk janë distancuar nga politikat e ish-kryeministrit.
Në deklaratë, LSDM pretendon se pasuria reale e Gruevskit dhe familjes së tij tejkalon 2 miliardë euro dhe ndodhet jashtë Maqedonisë së Veriut, ndërsa shitja e pronave të sekuestruara në vend, sipas saj, përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të aseteve të tij.
Gjithashtu, opozita kritikon qeverinë për atë që e cilëson si mungesë të vullnetit për të kërkuar përgjegjësi nga Gruevski dhe për të konfiskuar të gjithë pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme. LSDM akuzon edhe kryeministrin Mickoski për vazhdimësi të praktikave që, sipas saj, karakterizuan qeverisjen e mëparshme.
Në fund të deklaratës, partia shprehet se do të angazhohet për vendosjen e drejtësisë dhe mbajtjen përgjegjës jo vetëm të Gruevskit, por edhe, siç thuhet, të të gjithë bashkëpunëtorëve dhe vazhduesve të politikave të tij.

