LSDM: Maqedonia e Veriut renditet e 41-ta në Evropë për PBB-në për frymë
Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 41-të mes 48 ekonomive evropiane për nga produkti i brendshëm bruto (PBB) për frymë, sipas parashikimeve për vitin 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), bëjnë të ditur nga Lidhja Socialdemokrate (LSDM).
Sipas të dhënave të publikuara, PBB-ja për frymë në vend pritet të arrijë në 11.762 dollarë. Në krye të listës janë Lihtenshtajni, Luksemburgu dhe Irlanda, ndërsa nga vendet e rajonit, Serbia renditet me 17.126 dollarë, Mali i Zi me 16.211 dollarë dhe Shqipëria me 13.968 dollarë. Bosnja dhe Hercegovina ndodhet në vendin e 43-të.
Nga LSDM-ja theksojnë se hendeku ekonomik me vendet më të zhvilluara evropiane mbetet i madh, duke veçuar Gjermaninë, ku PBB-ja për frymë është më shumë se pesë herë më e lartë se në Maqedoninë e Veriut.
Sipas partisë opozitare, këto të dhëna pasqyrojnë gjendjen reale të ekonomisë në vend dhe, siç thonë, janë në kundërshtim me deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski për sukseset ekonomike, rritjen e pagave dhe pensioneve.
LSDM-ja akuzon pushtetin edhe për rritjen e borxhit publik, duke pretenduar se në dy vitet e fundit janë marrë rreth 4 miliardë euro borxh të ri. Partia paralajmëron gjithashtu rritje të çmimeve të ngrohjes dhe energjisë elektrike, ndërsa kritikon Qeverinë për mungesën e rritjes së pagës minimale.
Në deklaratën e saj, LSDM-ja ngre edhe çështjen e buxhetit të shtetit, duke iu referuar deklaratave të Mickoskit se nuk ka mjete të mjaftueshme financiare, madje as për organizimin e zgjedhjeve.
Në fund, partia opozitare rikthen akuzat ndaj kryeministrit lidhur me tenderët dhe rastin e Alta Bankës, duke pretenduar se ekzistojnë lidhje politike dhe financiare që duhet të bëhen transparente.

