VMRO-DPMNE: Alta Bankës nuk i është ndaluar të operojë në Bashkimin Evropian
VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj akuzave të LSDM-së dhe liderit të saj, Venko Filipçe, lidhur me rastin e Alta Bankës, duke theksuar se bankës nuk i është ndaluar të operojë në Bashkimin Evropian.
Nga partia në pushtet thonë se faktet dhe dokumentet dëshmojnë se bëhet fjalë për një çështje specifike rregullatore, që lidhet me mosnjoftimin në kohë të autoriteteve austriake për blerjen e një pjesëmarrjeje në Adiko Bank, dhe jo për ndonjë ndalim të vendosur nga Banka Qendrore Evropiane.
Sipas VMRO-DPMNE-së, Alta Bank zotëronte 9.63 për qind të aksioneve në Adiko Bank, ndërsa kompania Diplomat Pay kishte blerë 9.99 për qind të aksioneve. Në gusht të vitit 2024, autoriteti kompetent rregullator në Austri pezulloi të drejtat e votës së të dy kompanive, pasi konstatoi se ato kishin vepruar si palë të lidhura dhe së bashku kishin fituar një pjesëmarrje prej 19.62 për qind, pa njoftuar paraprakisht rregullatorin.
Nga VMRO-DPMNE theksojnë se ky veprim përbënte një sanksion rregullator për mosrespektimin e detyrimeve të raportimit dhe nuk nënkuptonte ndalim të operacioneve të Alta Bankës në Bashkimin Evropian.
Partia shton se në dhjetor të vitit 2024, Diplomat Pay ia shiti pjesëmarrjen e saj një investitori austriak, ndërsa në shkurt të vitit 2025 u hoq edhe pezullimi i të drejtave të votës së Alta Bankës në Adiko Bank, pasi, sipas autoriteteve, nuk ekzistonin më kushtet për veprim të përbashkët mes dy kompanive.
Duke iu referuar këtyre zhvillimeve, VMRO-DPMNE vlerëson se nuk ka pasur asnjë bazë ligjore për pretendimet se Alta Bankës i ishte ndaluar veprimtaria në BE dhe se, për rrjedhojë, nuk ka ekzistuar as ndonjë pengesë për hyrjen e saj në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut.
Nga kjo parti gjithashtu përmendin se edhe Raiffeisen kishte pasur marrëveshje me grupin Macura.
Në reagim, VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në dhe Venko Filipçen për manipulim të opinionit publik dhe përhapje të frikës te qytetarët përmes deklaratave lidhur me Alta Bankën. Si shembuj të tjerë, partia përmend edhe çështjen e migrantëve, ujin e pijshëm në Shkup, pensionet, programin IPARD dhe raportin e Thomas Weitz.

