LSDM akuzon Mickoskin dhe VMRO-DPMNE: “Gostivari nuk harron”
Partia opozitare maqedonase LSDM ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski dhe qeverisë, duke i akuzuar për neglizhencë ndaj situatës në Gostivar, pas helmimit të mijëra qytetarëve.
Nga LSDM-ja kritikojnë edhe pjesëmarrjen e zyrtarëve të qeverisë në aktivitetet e zhvilluara në Gostivar, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën se si institucionet po trajtojnë pasojat e krizës me ujin.
“Çfarë po festonin? Helmimin? 22 ditë ujë me fekale? Pesë javë pa dokument për analizën e cilësisë së ujit? Mickoski nuk ka moral. Pa turp”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Sipas opozitës, kryeministri Mickoski kishte deklaruar se Gostivari nuk do të harrohej, por, siç pretendojnë nga LSDM-ja, zyrtarët kanë shkuar me pushime ndërsa qyteti përballej me pasojat e helmimit dhe epidemisë.
“Por ekskursioni ‘shkencor dhe arsimor’ nuk mund të priste. Ky është qëndrimi i kësaj qeverie ndaj qytetarëve”, thuhet më tej në reagim.
LSDM-ja akuzon qeverinë se po e neglizhon situatën dhe se po e trajton me papërgjegjshmëri çështjen e analizave të cilësisë së ujit.
“Ata festojnë se ku shtriheshin njerëzit në spitale. Ata bëjnë fotografi ku fshehin analizat. Ata premtuan se nuk do të harronin – dhe harruan sapo u hapën aranzhimet e udhëtimit”, deklarojnë nga partia opozitare.
Në fund, LSDM-ja thotë se Gostivari nuk duhet të kujtohet vetëm para zgjedhjeve.
“Gostivari nuk do të harrohet para zgjedhjeve – kjo është ajo që thotë Mickoski. Gostivari nuk harron. Qytetarët nuk harrojnë”, përfundon reagimi i LSDM-së.

