LSDM: 33% e punëtorëve në Maqedoni marrin paga nën nivelin e varfërisë
LSDM akuzon qeverinë e Hristijan Mickoskit se paga minimale nuk mjafton as për mbulimin e nevojave bazë të jetesës, ndërsa rreth 33% e punëtorëve në vend, sipas partisë, marrin paga nën nivelin e varfërisë.
Sipas LSDM-së, në tetor një familjeje me katër anëtarë i nevojiteshin 26.170 denarë vetëm për ushqim dhe pije, ndërsa shporta e konsumit tejkalon 70.000 denarë. Me përfshirjen e shpenzimeve për banim, kostoja mujore kalon 90.000 denarë.
Partia pretendon se nga rreth 540.000 të punësuar, afërsisht 180.000 marrin paga më të ulëta se 31.200 denarë në muaj, duke theksuar se shumë punëtorë, pavarësisht angazhimit të tyre, nuk arrijnë të sigurojnë një jetë dinjitoze.
LSDM kritikon gjithashtu paralajmërimet për importimin e punëtorëve të huaj, duke pretenduar se qeveria po shqyrton angazhimin e fuqisë punëtore të lirë në vend që të fokusohet në rritjen e pagave. Sipas partisë, Aleksandar Nikollovski ka përmendur 50.000 punëtorë të huaj, ndërsa Mickoski mbi 100.000.

