Lidhja Shqiptare: Po shtypet gjuha shqipe edhe përmes transmetimit të Kampionatit Botëror
Lidhja Shqiptare ka reaguar ndaj mënyrës së transmetimit të Kampionatit Botëror në Futboll, duke akuzuar Qeverinë se po favorizon interesat serbe dhe po diskriminon gjuhën shqipe.
Sipas reagimit të kësaj partie, për herë të parë pas dy dekadash, të drejtat e transmetimit të Kampionatit Botëror nuk janë siguruar nga servisi publik RTVM, por nga platforma sportive “Arena Sport”, të cilën Lidhja Shqiptare e cilëson si të afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Nga kjo parti vlerësojnë se qytetarët do të duhet të ndjekin ndeshjet përmes një platforme me pagesë shtesë, ndërsa shprehin shqetësim se komentimi i ndeshjeve është siguruar vetëm në gjuhën maqedonase, pa përfshirë komentatorë në gjuhën shqipe.
“Ky nuk është një problem teknik, por një veprim në vazhdën e shtypjes së të drejtave gjuhësore nga ana e Qeverisë”, thuhet në reagimin e Lidhjes Shqiptare.
Partia konsideron se mungesa e komentimit në gjuhën shqipe për një ngjarje sportive me interes të gjerë publik përbën diskriminim ndaj shqiptarëve në vend dhe kërkon trajtim të barabartë të të gjitha gjuhëve zyrtare në transmetimet sportive.
Deri më tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga Qeveria apo nga kompania që posedon të drejtat e transmetimit lidhur me këto akuza.

