Levandovski: Luaj dhe 3 ose 4 vjet, dua Champions-in me Barcelonën

Levandovski: Luaj dhe 3 ose 4 vjet, dua Champions-in me Barcelonën

Robert Levandovski ka pothuajse një sezon e gjysmë në Barcelonë dhe pranon se është shumë i lumtur në ekip dhe në qytet. Në një intervistë për “Club del Deportista”, sulmuesi ka pranuar se ai ende e sheh veten duke aktiv si futbollist edhe tre ose katër vite të tjera. Duke parë nga e ardhmja, ai pranon se pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, nuk ka dëshirë të bëhet trajner.
Polaku ka deklaruar se ndihet shumë mirë fizikisht dhe në moshën 35-vjeçare ende nuk e ka menduar t’i japë fund karrierës. Aspak! Ambicia e tij mbetet e paprekur, si në nivel personal ashtu edhe në atë kolektiv.

“Unë nuk mendoj për atë që kam fituar ose atë që kam bërë tashmë. Unë shoh se çfarë mund të arrij më tej. Mendoj se mund të luaj futboll për tre ose katër vjet, sepse fizikisht ndihem shumë mirë”, shpjegoi ai.

Rekordet e golave të polakut këtë sezon janë larg pritshmërieve, krahasuar dhe me vitin e kaluar. Pavarësisht kësaj, sulmuesi blaugrana paralajmëroi se ai nuk do të heqë dorë nga asgjë këtë vit dhe se La Liga është ende shumë e gjatë. “E di që ne jemi Barcelona dhe të gjithë presin që jo vetëm të fitojmë, por edhe të shënojmë shumë gola. Në fillim të sezonit, gjithçka nuk ishte perfekte dhe, sigurisht, nëse nuk krijojmë shumë raste është e vështirë të shënosh gola”, pranon ai.
Këtë vit, në ndryshim nga dy sezonet e kaluara, Barcelona ka arritur objektivin e parë të sezonit, që ishte kualifikimi në 1/8 e finaleve në Champions. Levandovski e ka të qartë se, për të konkurruar me skuadrat e tjera, ata kanë nevojë për të gjithë skuadrën në njëqind për qind.

“Sa herë që flas për Ligën e Kampionëve ne e dimë se duhet edhe fat, duhet që edhe lojtarët të jenë të gjithë të gatshëm. Nëse të gjithë lojtarët tanë janë të shëndetshëm, në formë dhe gati mund ta krahasojmë veten me këdo, mund të fitojmë ndaj kujtdo”, analizon golashënuesi.

Polaku është më i moshuari në një skuadër me shumë lojtarë të rinj si Lamin Jamal, Fermín Lopez dhe Balde mes shumë të tjerëve. Sulmuesi është plot lëvdata për të gjithë ata, megjithëse është i vetëdijshëm se duhet kërkuar ekuilibër.
“Ata kanë talent të jashtëzakonshëm dhe sigurisht që tani ndihen sikur janë pjesë e klubit dhe ekipit. Varet nga mosha, duhet të gjesh një ekuilibër të mirë, sepse nuk është e lehtë për ata, pasi ne po flasim për të luajtur për Barcelonën”, argumenton ai. “Presioni nga klubi, nga tifozët, nga të gjithë jashtë. Duhet t’i mbroni ata, por duhet të dinë edhe pozicionin. Mendoj se për trajnerin është shumë e rëndësishme se si t’i trajtojë ata, të mos japë atyre shumë lehtësira dhe mos u jepni më pak nga çfarë meritojnë”, shton ai.

MARKETING