Kurti propozon Justina Shiroka-Pulën për presidente
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se ka modifikuar ofertën e tij ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit politik dhe zgjedhjen e presidentit të ri.
Kurti ka thënë se pas refuzimit të profesor Bekim Sejdiut si kandidat për president, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka kundërshtuar edhe propozimin që fillimisht të votohet projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe më pas të votohet për presidentin në të njëjtën seancë.
Sipas Kurtit, Hamza ka shprehur kundërshtime edhe ndaj kandidaturave të Glauk Konjufcës dhe Feride Rushitit, duke i cilësuar si figura politike.
Kurti ka thënë se deklarata e Hamzës për ndryshimin e qëndrimeve “3-4 herë” lidhet me faktin se, sipas tij, gjatë negociatave janë bërë propozime të reja.
“Të nderuar gazetarë, kur ai thotë që 3-4 herë ka qëndrime të ndryshme, në fakt bëhet fjalë për propozime të reja. Natyrisht që propozimet e reja nuk janë propozimet e vjetra, janë propozime të ndryshme sepse janë propozime të reja”, tha Kurti.
Kryeministri u ndal edhe te deklaratat e Hamzës për Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin.
“E dëgjova edhe kritikën e tij lidhur me atë se Glauk Konjufca na qenka politik e partiak, e në anën tjetër edhe Feride Rushiti, doktoresha e nderuar, na qenka fort Vetëvendosje”, u shpreh Kurti.
Më pas, Kurti njoftoi se oferta e tij do të modifikohet, duke i kërkuar kryetarit të PDK-së që të deklarojë publikisht nëse 22 deputetët e grupit parlamentar të kësaj partie do të marrin pjesë në votimin për president.
“Atëherë më lejoni që këtu para jush propozimin tonë të orës 20:00 ta modifikoj e ta përshtas edhe pak më tutje”, tha Kurti.
Ai i bëri thirrje Hamzës që të deklarojë se të gjithë deputetët e PDK-së do të marrin pjesë në votimin për president.
“Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, le të dalë publikisht sonte, pas meje menjëherë, që 22 deputetët e grupit parlamentar të PDK-së zotohen bashkë se marrin pjesë me votë në zgjedhjen për president, ne po ia votojmë projektligjin për Gjykatën Speciale paraprakisht”, deklaroi Kurti.
Sipas propozimit të ri të Kurtit, projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara do të votohej para zgjedhjes së presidentit dhe të dyja çështjet do të përfshiheshin në të njëjtën seancë.
“Pra jo më pas, përpara. Në një seancë me dy pika: pika e parë, leximi i dytë i projektligjit mbi Gjykatën Speciale e ka votën tonë, dhe mandej votimi për presidente, profesoresha Justina Shiroka-Pula”, tha Kurti.
Kështu, sipas ofertës së modifikuar të kryeministrit, votimi për Ligjin për Dhomat e Specializuara do të ishte pika e parë e rendit të ditës, ndërsa pas tij do të zhvillohej votimi për kandidaturën e Justina Shiroka-Pulës për presidente.

