Kualifikim emocionues, Argjentina përmbys Egjiptin dhe shkon në çerekfinale të Botërorit
Argjentina ka dhuruar një nga ndeshjet më spektakolare të këtij Kampionati Botëror, duke përmbysur në mënyrë të pabesueshme rezultatin nga 0-2 në 3-2 ndaj Egjiptit dhe duke prerë biletën për në çerekfinale.
Kampionët e botës e nisën takimin me dominim në lojë, por ishin egjiptianët ata që goditën të parët. Në minutën e 15-të, Yasser Ibrahim shfrytëzoi një harkim të saktë të Marwan Attias dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Argjentina pati rastin ideal për të barazuar vetëm gjashtë minuta më vonë, pasi fitoi një penallti pas ndërhyrjes së Haissem Hassan. Megjithatë, Lionel Messi u ndal nga portieri Mostafa Shobeir, i cili priti goditjen nga pika e bardhë dhe mbajti në avantazh skuadrën e tij.
Shobeir vazhdoi të ishte protagonist absolut edhe në vazhdim, duke neutralizuar tentativat e Julian Alvarez dhe Alexis Mac Allister, ndërsa Messi goditi shtyllën me një goditje të fuqishme nga distanca.
Në pjesën e dytë, Egjipti befasoi sërish. Në minutën e 58-të, pas një kundërsulmi të shpejtë, Mostafa Ziko realizoi për 2-0, duke e vënë Argjentinën në një situatë shumë të vështirë.
Megjithatë, reagimi i skuadrës së Lionel Scalonit ishte i menjëhershëm. Aktivizimi i Lautaro Martinez i dha ritëm dhe energji sulmit argjentinas, ndërsa rikthimi nisi në minutën e 79-të. Lionel Messi shërbeu një asist perfekt për Cristian Romero, i cili shënoi me kokë për 2-1.
Vetëm katër minuta më vonë, Messi mori përsipër përgjegjësinë dhe barazoi shifrat me një supergol. Pas asistimit të Gonzalo Montiel, kapiteni argjentinas goditi me volej nga brenda zonës, ndërsa topi preku pjesën e poshtme të traversës përpara se të përfundonte në rrjetë për 2-2.
Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt kohës shtesë, Argjentina goditi për herë të tretë. Në minutën e 90+2′, Lautaro Martinez dërgoi një krosim të fortë në zonë, ndërsa Enzo Fernandez u shkëput në mënyrë perfekte dhe realizoi nga afër golin e fitores 3-2.
Nga disavantazhi prej dy golash deri te triumfi dramatik, Argjentina tregoi edhe një herë karakterin dhe mentalitetin e një kampioneje bote. Edhe pse humbi një penallti, Lionel Messi ishte vendimtar me një asist dhe një gol spektakolar, ndërsa Cristian Romero dhe Enzo Fernandez vulosën një përmbysje që pritet të mbetet ndër momentet më të paharrueshme të këtij Botërori.

