Kostadinovski: Nuk rrezikohet ligji i gjuhëve, por vetëm zbatimi
Si Gjykatë Kushtetuese, që t’i amortizojmë të gjitha akuzat për veprime etnike dhe politikë, jemi të gatshëm me kolegët që t’i bindim politikanët dhe njëherësh tu drejtohemi qytetarëve se vendimet tona janë kushtetuese, deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
Në televizionin Kanal 5 ku sonte ishte mysafir, në pyetjen lidhur me ligjin e gjuhëve, që ishte paralajmëruar se do të jetë në seancë në tetor, Kostadinovski u përgjigj se prolongimi është për shkak të agjendës ndërkombëtare të gjykatësve. Ai potencoi se nuk rrezikohet ligji, por vetëm zbatimi i tij.
“Prolongimi është për shkak të agjendës ndërkombëtare, edhe e imja, edhe e disa gjykatësve. Ajo është lëndë për të cilën ekziston konkluzion se do të vendosë përbërja e plotë”, tha ai.
I pyetur çka nëse tre gjykatësit nga bashkësitë joshumicë nuk vijnë, ai u përgjigj se nuk dëshiron të besojë në skenarë të tillë.
“Nuk dua të besoj në skenarë të tillë. Por, është fakt i pakontestueshëm që unë si kryetar i gjykatës jam i detyruar me konkluzion të gjykatës, derisa është në fuqi ajo lëndë dhe disa lëndë të tjera duhet të vendoset në përbërje të plotë, derisa nuk merret konkluzion i ri”, shtoi Kostadinovski.
Siguroi se askush nuk duhet të shqetësohet nga veprimet e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa lidhur me pyetjen se a ka atmosferë të dëgjohen argumentet juridike për këtë ligj, ai u përgjigj se do të shteren të gjitha mjetet që i kanë në dispozicion.
“Ne si gjykatës do të shterojmë të gjitha mjetet që kemi në dispozicion. Të gjitha opsionet janë në lojë, edhe seancë përgatitore për pjesën materiale. Në ato 13 nisma ka shumë esenca kontestimi. Nuk rrezikohet ligji për gjuhët, por vetëm zbatimi, si funksionalizohet”, tha Kostadinovski.
Për momentin, Gjykata Kushtetuese po shqyrton 13 nisma të cilat kanë të bëjnë me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. I miratuar në vitin 2018, ligji parasheh që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare në të gjitha organet e pushtetit shtetëror.