Kostadinovski në një simpozium ndërkombëtar me rastin e 63-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë

Kostadinovski në një simpozium ndërkombëtar me rastin e 63-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski dhe shefi i Shtabit të saj, Ekrem Halimovski, dje dhe sot në Stamboll marrin pjesë në një Simpozium Ndërkombëtar me rastin e 63 vjetorit të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë. Gjithashtu, ata në Stamboll u takuan edhe me kryetarin e Fondacionit Turk Maarif, Mahmut M.. Ozdil.

Siç informon Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë, në fjalimin e tij në simpoziumin me rastin e përvjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, Kostadinovski theksoi se “marrëdhëniet miqësore dhe vëllazërore midis Maqedonisë dhe Turqisë kanë rrënjë të thella historike që janë themeli për bashkëpunim të sinqertë dhe afatgjatë”. Partneriteti ynë strategjik, theksoi Kostadinovski, “bazohet në histori, tradita, zakone dhe vlera të përbashkëta”.

Përveç tij, thuhet në kumtesë, në simpozium marrin pjesë kryetarë dhe gjykatës të gjykatave dhe institucioneve ndërkombëtare: Gjykata Afrikane e të Drejtave të Njeriut, gjykatat kushtetuese të: Shqipërisë, Azerbajxhanit, Bahreinit, Bjellorusisë, Beninit, Bullgarisë, Kazakistanit, Kosovës, Malit të Zi, Rumanisë, Rusisë, Serbisë, Uzbekistanit dhe përfaqësues të gjykatave supreme në mbarë botën, përfaqësues të Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venedikut të Këshillit të Evropës, gjykatës të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Asociacioni Botëror i Ligjit dhe profesorë eminentë nga universitetet në Turqi.

Tema e simpoziumit ndërkombëtar është “E ardhmja e Gjyqësorit Kushtetues në Shekullin e 21-të” dhe mbahet në dy sesione: “Drejtësia Kushtetuese në Epokën Digjitale” dhe “Sfidat dhe Mundësitë e Reja të Drejtësisë Kushtetuese”.

“Në kuadër të ceremonisë me të cilën shënohet 63-vjetori i Gjykatës Kushtetuese të REpublikës së Turqisë, në Pallatin Dollmabahçe ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, Kadir Ozkaja, patën një takim të shkurtër dhe të përzemërt me Presidentin Erdogan, në të cilin e informuan atë për bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy gjykatave kushtetuese, gjatë të cilit Presidenti Erdogan u përcolli përshëndetje të ngrohta qytetarëve të Maqedonisë dhe u bëri thirrje atyre të vazhdojnë marrëdhëniet vëllazërore dhe të sinqerta, si dhe bashkëpunimin e tyre”, njoftoi Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë.

Kostadinovski vazhdon pjesëmarrjen e tij në simpoziumin ndërkombëtar në sesionin e sotëm me temën “Gjyqësori Kushtetues në Epokën Digjitale dhe Efektet e Inteligjencës Artificiale”.

Gjykata Kushtetuese informoi se gjatë vizitës së tij të punës në Stamboll, Kostadinovski u takua pardje (24 prill) me presidentin e Fondacionit Turk Maarif, Mahmut M. Ozdil.

MARKETING