Komuna e Çairit mohon akuzat e BDI-së: Procedurat dhe furnizimet publike janë realizuar në përputhje me ligjin
Komuna e Çairit ka hedhur poshtë akuzat e BDI-së lidhur me procedurat e furnizimeve publike për disa projekte infrastrukturore dhe arsimore, duke theksuar se të gjitha tenderët janë realizuar në mënyrë transparente dhe në përputhje me Ligjin për Furnizime Publike.
Nga komuna njoftojnë se projektet për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në lagjet Sahat Kullë dhe Dizhon, si dhe ndërtimi i pishinës së mbyllur pranë SHFK “7 Marsi”, janë zhvilluar përmes Sistemit Elektronik të Furnizimeve Publike, me respektim të parimeve të ligjshmërisë, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë.
Komuna shton se nuk ka bazë ligjore që ta marrë parasysh kohën e themelimit të operatorit ekonomik si faktor për vlerësimin e aftësisë së tij për pjesëmarrje në procedurat e furnizimit publik.
“Duke pasur parasysh se operatorët ekonomikë të përzgjedhur i plotësojnë të gjitha kushtet ligjore, teknike dhe financiare të parapara në dokumentacionin tenderik, si dhe faktin se për realizimin e projekteve janë siguruar mjetet financiare nga ministritë kompetente, janë krijuar të gjitha kushtet për realizimin e papenguar të projekteve në fjalë, të cilat kanë rëndësi të veçantë për përmirësimin e infrastrukturës komunale dhe avancimin e kushteve për arsim dhe sport në territorin e Komunës së Çairit.
Në përputhje me dispozitat e Ligjit për Furnizime Publike, organi kontraktues nuk ka bazë ligjore që ta marrë parasysh kohën e themelimit të operatorit ekonomik si faktor për vlerësimin e aftësisë së tij për pjesëmarrje në procedurat e furnizimit publik. Gjithashtu, organi kontraktues nuk guxon të përcaktojë kushte apo kritere që do të kufizonin pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë në bazë të periudhës së ekzistencës së tyre, respektivisht të kërkojë që ata të jenë të regjistruar ose të ushtrojnë veprimtari për një numër të caktuar vitesh para shpalljes së procedurës”, thonë nga Komuna e Çairit.
Reagimi vjen pasi BDI prej dy ditësh ka ngritur dyshime për mënyrën se si kompania NUM CONSTRUCTION LTD, e themeluar në korrik të vitit 2024, ka fituar kontrata publike në vlerë mbi 3.4 milionë euro nga Komuna e Çairit, duke kërkuar hetim nga institucionet kompetente dhe transparencë të plotë për procesin.

