Justina Shiroka-Pula merr zyrtarisht detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës
Me ceremoni të lartë shtetërore, Justina Shiroka-Pula, ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e inaugurimit, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ia ka dorëzuar Kushtetutën presidentes së re Shiroka-Pula, në ceremoninë ku morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministra të kabinetit qeveritarë, krerë të partive politike parlamentare, ish-presidentë të Kosovës, familjarë të presidentes së re, udhëheqës të institucioneve të ndryshme dhe ambasadorë të vendeve të huaja.
Ceremonia nisi me ekzekutimin e himnit të Republikës së Kosovës nga Togu Ceremonial i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Shiroka-Pula u zgjodh presidente e Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të mbajtur të martën, e cila përfundoi në orët e para të së mërkurës.
Ajo mori 81 vota në rundin e parë të votimit, duke siguruar kështu zgjedhjen në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Zgjedhja e saj erdhi pas propozimit të kryeministrit Albin Kurti dhe mbështetjes që ajo mori edhe nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), pas miratimit të Projektligjit për ndryshimet në Ligjin e Dhomave të Specializuara.

