Janevska: Janë refuzuar 252 studentë për akomodim në konviktet studentore
Gjithsej 252 studentë janë refuzuar deri tani në konkursin për akomodim në konviktet studentore, pasi nuk kanë përmbushur kriteret e përcaktuara. Këtë e bëri të ditur ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Sipas Janevskës, të drejtë për qëndrim në konvikte kanë vetëm studentët e rregullt, ndërsa ata me status absolventi për më shumë se tre vjet e humbin këtë të drejtë.
Një tjetër problem i shpeshtë është dokumentacioni i paplotë gjatë aplikimit elektronik.
“Procesi i aplikimit është tërësisht i digjitalizuar dhe u bëj thirrje studentëve të kenë kujdes gjatë ngarkimit të dokumenteve. Duhet të jenë studentë të rregullt dhe të dorëzojnë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të përfituar një vend”, tha ministrja.
Ajo paralajmëroi se, nëse pas përfundimit të të gjitha afateve mbeten vende të lira, Ministria do të përgatisë një rregullore të re, e cila do të mundësojë që këto vende t’u ofrohen studentëve me çmime komerciale, por dukshëm të subvencionuara.

