Inzaghi: “Kemi mundësinë për të shkruar historinë”

Inzaghi: “Kemi mundësinë për të shkruar historinë”

Nesër në mbrëmje të gjithë sytë e botës do të jenë në Stamboll, në finalen e madhe të Championsit mes Mançester Sitit dhe Interit. Në prag të supersfidës, trajneri i zikaltërve Simone Inzagi ka dalë në një konferencë për shtyp.

“E dimë se çfarë loje duhet të bëjmë nesër. Siti është skuadra më e fortë në botë. Ata e kanë treguar në ndeshjet që kanë luajtur. Jemi krenar që kemi arritur deri këtu, do të bëjmë çdo gjë për të luajtur një lojë të mrekullueshme. Duhet të limitojmë gabimet tona dhe të bëjmë më të mirën.

Nesër do të jetë ndeshja e 57-ë për ne këtë sezon. Ka qenë një rrugëtim tepër i gjatë me 56-ë të mëparshmet. Kemi pasur disa momente të vështira, në të cilat ne jemi rritur më të fortë. Kemi shkuar nga humbje të merituara në humbje të pamerituara. Kemi bërë një përpjekje të çmendur dhe falë kësaj kemi arritur në Stamboll. Në kohët e fundit ne kemi pasur shumë pak kohë të mendojmë se çfarë kemi bërë. Arritëm të kualifikoheshim në Champions, një finale Kupe Italie për të cilën u kujdesëm shumë. Vetëm tani po e kuptojmë se çfarë kemi bërë. Nesër ne do të luftojmë deri në fund.

Mesfusha do të jetë shumë e rëndësishme. Por unë mendoj se këmbët, mendja dhe zemra do të jenë më të rëndësishme. Këmbët do të duhen për të vrapuar, mendja për të qenë e kthjellët dhe zemra për të gjetur energji në ato momente që t’i mendon se nuk ke më.

E dimë që nesër kemi një mundësi të madhe për të shkruar historinë. E dimë që do të jetë shumë e vështirë, por ne do të përpiqemi. Së bashku është fjala që na ka sjellë këtu dhe së bashku do të përpiqemi që të fitojmë.

 

MARKETING