Gjuha raciste ndaj Juan Jesus, Italia përjashton mbrojtësin e Interit

Gjuha raciste ndaj Juan Jesus, Italia përjashton mbrojtësin e Interit

Debati me nota raciste, që Francesco Acerbi pati me mbrojtësin e Napolit Juan Jesus, i ka kushtuar shtrenjtë mbrojtësit 36-vjeçar. Federata Italiane vendosi që ta largojë mbrojtësin nga grumbullimi për dy miqësoret e muajit mars, që Italia do t’i luajë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Venezuelës dhe Ekuadorit.

Në komunikatën e shpërndarë nga Federata Italiane, raportohet se Acerbi ka treguar versionin e tij të ngjarjes para trajnerit dhe shokëve, por në pritje të hetimit nga gjykata sportive, është vendosur që të largohet nga grumbullimi.

Në vendin e tij Luciano Spalletti riktheu në skuadër mbrojtësin e Romës, Gianluca Mancini, i cili ishte në listën e pritjes dhe do të ketë mundësinë të tregojë cilësitë e tij në dy miqësoret e radhës.
Sipas dëshmisë së Juan Jesus për median pas ndeshjes, Acerbi i është drejtuar brazilianit me fjalë raciste, duke i kujtuar ngjyrën e lëkurës, teksa për mbrojtësin e Interit është hapur një hetim. Nëse provohen fjalët e tij, atëherë Acerbi rrezikon një pezullim deri në 10 javë, ose me afat 3-6 muaj.

Ndërkohë klubi zikaltër ka bërë me dije se ka thirrur Acerbin për ta pyetur për ngjarjen, në mënyrë që të kenë një version të qartë dhe të saktë të asaj që ndodhi.

MARKETING