Gjendet pa shenja jete një 38-vjeçar pranë Smilkovcit, policia heton rastin
Një person 38-vjeçar është gjetur pa shenja jete sot në mëngjes, në afërsi të mbiujësës në fshatin Smilkovc të Shkupit. Rrethanat e vdekjes mbeten ende të paqarta, ndërsa policia dhe Prokuroria Publike kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit.
Sipas informacioneve jozyrtare, viktima dyshohet të jetë banor i njërit prej fshatrave të rajonit të Shkupit. Trupi i tij është gjetur në afërsi të automjetit personal.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se rasti është raportuar në SPB Shkup në orën 06:15, pasi është vërejtur një person i cili nuk jepte shenja jete.
Në vendngjarje ka dalë edhe ekipi i Ndihmës së Shpejtë, i cili ka konstatuar vdekjen e personit.
Për rastin është njoftuar prokurori publik, ndërsa ekipet kompetente po ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e vdekjes.
Deri më tani nuk ka informacione zyrtare nëse në trupin e të ndjerit janë konstatuar shenja dhune apo lëndime.
Institucionet pritet të japin më shumë detaje gjatë ditës, pas përfundimit të veprimeve fillestare hetimore.

