Franca triumfoi ndaj Marokut, siguroi gjysmëfinalen e Kupës së Botës

Franca triumfoi ndaj Marokut, siguroi gjysmëfinalen e Kupës së Botës

Franca ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Botës, pasi ka triumfuar me rezultat 2-0 ndaj Marokut në një ndeshje të luftuar deri në minutat e fundit.

“Gjelat” e Didier Deschamps e nisën ndeshjen me presion të madh dhe që në minutën e katërt ishin pranë golit, por Bono reagoi shkëlqyeshëm ndaj goditjes me kokë të Dayot Upamecanos.

Rasti më i mirë i pjesës së parë erdhi në minutën e 28-të, kur Franca fitoi penallti pas ndërhyrjes së Noussair Mazraouit. Vendimi u konfirmua edhe pas rishikimit me VAR, por Bono lexoi goditjen e Kylian Mbappes dhe e ndali tentativën e yllit francez.

Franca vazhdoi të kërkonte golin dhe në minutën e 45+2 Lucas Digne goditi traversën me një predhë nga distanca, ndërsa pjesa e parë u mbyll pa gola.

Në fillimin e pjesës së dytë, Mbappe e mori përgjegjësinë mbi vete. Sulmuesi francez shënoi në minutën e 60-të me një goditje nga distanca, duke e dërguar topin pranë shtyllës së djathtë për epërsinë 1-0.

Maroku provoi të reagonte, me Neil El Aynaoui që ishte pranë golit pas një këndi të Achraf Hakimit, por goditja e tij me kokë shkoi ngjitur me shtyllën.

Franca e vulosi fitoren në minutën e 66-të. Mbappe asistoi për Ousmane Dembelen, i cili nga skaji i zonës goditi drejt portës dhe topi përfundoi në këndin e poshtëm të djathtë për rezultatin 2-0.

Në minutën e 77-të, Mbappe u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një lëndimi, duke i lënë vendin Jean-Philippe Matetas. Ky i fundit pati një mundësi të artë në minutën e 88-të, por nga vija e portës e dërgoi topin me kokë mbi traversë.

Megjithatë, Franca e menaxhoi epërsinë deri në fund dhe festoi një fitore të madhe, duke prerë biletën për në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.

MARKETING