Flick i gëzohet fitores së vuajtur ndaj Rayo Vallecano: Është sukses i madh rikthimi në vendin e parë

Flick i gëzohet fitores së vuajtur ndaj Rayo Vallecano: Është sukses i madh rikthimi në vendin e parë

Hansi Flick, trajneri i Barcelonës, vlerësoi përpjekjen e lojtarëve të tij për të mposhtur Rayo Vallecanon dhe rimarrë kreun e LaLigës. “Ka qenë një punë e vështirë për lojtarët e mi, por në fund jemi të kënaqur, – tha gjermani për “Movistar”. – Të gjithë janë të lumtur për këtë situatë të re. Mendoj se kemi luajtur shumë mirë, megjithëse besoj se mund të bëjmë edhe më mirë”.

Trajneri blaugrana i dha shumë merita fitores së ekipit të tij ndaj një kundërshtari që po kalonte një moment shumë të mire: “Ata kishin 9 ndeshje pa humbje, ndaj besoj se sot ishte një sukses i madh për ne. Të rikthehemi në vendin e parë është diçka shumë pozitive. Jemi kthyer”.

Mbi episodet e diskutueshme që Rayo Vallecano pretendoi: “Kemi VAR dhe besoj te VAR-i, është gjithçka që mund të them”.

Mbi përjashtimin e Koundé nga formacioni titullar i kësaj sfide, trajneri gjerman nënvizoi: “Përpara një ndeshjeje kemi dy ose tri analiza dhe është shumë e rëndësishme që lojtarët të jenë aty. Nuk është e vështirë të mbërrish në kohë. Është çështje respekti ndaj shokëve të skuadrës. Koundé u vonua, rregullat janë të qarta. Nuk duhet të ndodhë, por ndodhi sot”.

Gjatë zëvendësimit, Robert Lewandowski nuk reagoi mirë: “Është normale, gjithmonë dëshiron të shënojë gola. Sidoqoftë, vendimin e marr unë dhe sot mora këtë vendim. Unë vendos në bazë të ekipit, jo individëve. Jam shumë i kënaqur me performancën e tij, por është në dorën time dhe duhet ta pranojnë të gjithë”.

Flick u shpreh i kënaqur me ecurinë e ekipit, por kërkoi përqendrim maksimal deri në fund: “Jemi ende në fillimin e fundit të sezonit, ndaj është thelbësore që të gjithë të jenë në formën më të mirë”.

MARKETING