Fetai: BDI të vret natën dhe të qanë ditën

Fetai: BDI të vret natën dhe të qanë ditën

Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka reaguar ashpër ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke i akuzuar drejtuesit e saj për “hipokrizi të thellë” dhe “manipulim publik” në lidhje me ndryshimet e fundit ligjore që prekin organizimin e administratës shtetërore.

MARKETING

Përmes një postimi në Facebook, Fetai ka rikujtuar se Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore është miratuar më 10 qershor 2024, me 88 vota pro, përfshirë edhe votat e deputetëve të BDI-së dhe liderit të saj, Ali Ahmeti. Sipas tij, ky fakt rrëzon pretendimet aktuale të BDI-së për ç’bërjen e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve.

“Kështu kanë qeverisur për 22 vite: me kompromise të dëmshme në kurriz të shqiptarëve, duke heshtur përballë rasteve të montuara politike dhe vrasjeve të pahetuara të ish-ushtarëve të UÇK-së,” ka shkruar Fetai.

Ai akuzon BDI-në se edhe në opozitë vepron njësoj: “Fillimisht votojnë për ndryshimet, pastaj sulmojnë qeverinë për vendimet që vetë i kanë përkrahur.”

Sipas versionit të ri të ligjit, inspektoratet do të sistemohen nën ministritë përkatëse, me qëllim rritjen e llogaridhënies dhe koordinimit institucional. Ky rregullim vlen për të gjitha inspektoratet pa përjashtim, siç thekson Fetai, dhe nuk përbën ç’bërje, por ristrukturim funksional.

Duke iu referuar drejtpërdrejt deputetëve të BDI-së, Fetai thotë se ata mbajnë përgjegjësi për këtë vendim ligjor, dhe u bën thirrje qytetarëve që të kërkojnë llogari prej tyre: “Duke filluar nga kryetari e tutje.”

Deklarata përmbyllet me një mesazh të qartë:
“Rrena i ka këmbët e shkurta.”

MARKETING