VLEN: Kërkojmë dorëheqjen e Ahmetit!
Partia VLEN ka kërkuar dorëheqjen e Ali Ahmetit nga posti i kryetarit të BDI-së dhe tërheqjen e tij nga politika, duke e akuzuar partinë për bashkëpunim politik dhe afarist me struktura të lidhura me Serbinë.
Në një komunikatë për media, VLEN përmend rastin e Alta Bankës nga Beogradi, projektin e Daka Davidoviqit në Tetovë, hyrjen e operatorit MTEL në tregun maqedonas, përkrahjen e BDI-së për Ballkanin e Hapur, tenderin e Lotarisë Shtetërore dhe takimet e Bujar Osmanit me zyrtarë serbë.
Sipas VLEN-it, këto raste ngrenë pikëpyetje për vendimet e marra gjatë kohës kur BDI ishte pjesë e pushtetit dhe kërkojnë përgjegjësi politike.
“E zeza mbi të bardhë, dokumentet dëshmojnë se ministrat e BDI-së kanë propozuar dhe votuar pika në mbledhjet e Qeverisë, përmes të cilave Bankës Alta nga Beogradi i është mundësuar bashkëpunimi afarist me shtetin. Në vend që të mbronin interesat e qytetarëve, funksionarët e BDI-së kanë hapur dyert për marrëveshje financiare dhe partneritet me një bankë nga Serbia.
Nga Alta Banka, te Daka Davidoviqi, MTEL-i, Ballkani i Hapur dhe tenderët e kontestuar, krijohet një pasqyrë e lidhjeve të vazhdueshme politike dhe afariste, të cilat meritojnë një verifikim të thelluar institucional dhe përgjegjësi politike.
Ali Ahmeti duhet të japë dorëheqje nga funksioni i kryetarit të BDI-së dhe të tërhiqet nga politika. Ka ardhur koha që të mos e mbajë më peng partinë dhe të ardhmen e saj për interesa të veta politike”, thuhet në komunikatën e partisë VLEN.

