Ferati dhe Hoxha diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë

Ferati dhe Hoxha diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë

Ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive i Maqedonisë së Veriut, Agon Ferati, u takua në Tiranë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha.

MARKETING

Shik.mk

Gjatë takimit, të dy ministrat diskutuan për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, përmirësimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve përmes kufirit.

Ferati prezantoi angazhimet e ministrisë për përmirësimin e marrëdhënieve mes komuniteteve etnike dhe luftimin e paragjykimeve që ndikojnë negativisht në bashkëjetesën mes tyre.

Nga ana tjetër, Hoxha shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi rëndësinë e koordinimit për realizimin e Korridorit të Tetë, ku pjesa rrugore në Shqipëri pritet të përfundojë në vitin 2029, ndërsa ajo hekurudhore në vitin 2032.

Ministrat vlerësuan gjithashtu rëndësinë e lehtësimit të procedurave kufitare, me qëllim afrimin e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të të dy vendeve.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit rajonal, integrimit evropian dhe forcimit të kohezionit social. Ferati theksoi se bashkëpunimi duhet të zgjerohet edhe përmes organizatave të shoqërisë civile në të dy vendet.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si aleate në familjen euroatlantike, ndajnë synimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas ministrave, përparimi drejt këtij qëllimi do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik, forcimin e demokracisë dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Në fund të takimit, të dy ministrat riafirmuan përkushtimin për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe realizimin e projekteve konkrete në interes të qytetarëve të të dy vendeve.

MARKETING