Davkova dhe Pendarovski përballen në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut

Davkova dhe Pendarovski përballen në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut

Kandidatja opozitare Gordana Siljanovska-Davkova e ka fituar bindshëm rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut të mërkurën, dhe do të përballet me presidentin aktual, Stevo Pendarovski, në rundin e dytë muajin e ardhshëm.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Davkova – e cila vjen nga partia opozitare VMRO DPMNE – i fitoi 40.10 për qind të votave, ndërsa Pendarovski nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet, i fitoi 19.93 për qind të votave.

Shtatë kandidatë garuan në rundin e parë, në mesin e të cilëve edhe dy shqiptarë, të cilët nuk ia dolën të fitonin vota të mjaftueshme për ta siguruar balotazhin.

Bujar Osmani nga Fronti Evropian i mori 13.36 për qind të votave, ndërsa Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN 9.21 për qind të votave.

Davkova – duke folur pasi e fitoi rundin e parë – tha se nuk është kundër integrimit evropian të vendit, por se kërkon që integrimi “të mos bëhet duke dëmtuar interesat shtetërore e kombëtare maqedonase”.

Ajo u zotua se, nëse zgjidhet presidente, do të angazhohet për thellimin e bashkëpunimit rajonal, “që vendet e rajonit së bashku të ecin drejt rrugës së integrimit në Bashkim Evropian”.

Kandidati i LSDM-së, Stevo Pendarovski, u zotua se do ta vazhdojë betejën në rundin e dytë të zgjedhjeve “për një fitore dhe për realizimin e agjendës evropiane” të Maqedonisë së Veriut.

“Koncepti im është që të jetojmë në një shteti të integruar në BE dhe jo të izoluar. Në një shtet ku nuk do të ketë ndarja dhe i cili do të jetë pjesë e integrimeve euroatlantike”, tha Pendarovski.

Sipas KSHZ, rreth 49 për qind e 1.8 milion shtetasve më të drejt vote e hodhën votën në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mërkurën.

Fitorja e thellë e kandidates opozitare Davkova ishte parashikuar pothuajse në të gjitha hulumtimit e opinionit publik.

Zgjedhjet presidenciale të 24 prillit shihen si test i rëndësishëm për partitë politike, pasi ato u mbajtën pak javë para zgjedhjeve parlamentare të majit.

MARKETING