Chelsea në kërkim të trajnerit të ri, Xabi Alonso në krye të listës së kandidatëve
Chelsea ka nisur lëvizjet për emërimin e trajnerit të ri dhe emri i Xabi Alonsos po përmendet gjithnjë e më shumë si favorit për stolin e “Bluve” të Londrës.
Sipas raportimeve nga gazetari David Ornstein, drejtuesit e klubit po shqyrtojnë seriozisht mundësinë që spanjolli të marrë drejtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.
Burime pranë klubit bëjnë të ditur se Alonso nuk e përjashton kalimin në Stamford Bridge, megjithëse ende nuk ka një marrëveshje konkrete apo vendim final nga palët. Chelsea mbeti pa trajner të përhershëm pas largimit të Liam Rosenior në muajin prill, vetëm pak muaj pasi ishte emëruar në krye të ekipit.
Në listën e kandidatëve përfshihen edhe Andoni Iraola, që mund të largohet nga Bournemouth në fund të sezonit, si dhe trajneri aktual i Fulhamit, Marco Silva.
Xabi Alonso është pa skuadër që prej ndarjes me Real Madridin në fillim të vitit. Më herët ai shkroi histori me Bayer Leverkusenin duke fituar Bundesligën pa asnjë humbje gjatë sezonit 2023/24.
Te Real Madridi pati një aventurë të shkurtër, por me disa rezultate pozitive, përfshirë edhe një fitore në El Clasico ndaj Barcelonës. Aktualisht, Chelsea po drejtohet përkohësisht nga Calum McFarlane deri në përfundim të sezonit.

