Blinken: Vrasja e aktivistes turko-amerikane nga ushtarët izraelitë ishte “pa arsye dhe e padrejtë”
Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken deklaroi se vrasja e aktivistes turko-amerikane Ayşenur Ezgi Eygi nga ushtarët izraelitë ishte “pa arsye dhe e padrejtë”, se ushtria izraelite përdor forcë të tepruar kundër palestinezëve, se janë vrarë dy shtetas amerikanë dhe se kjo është e papranueshme, transmeton Anadolu.
Sekretari i Jashtëm britanik David Lammy dhe homologu i tij amerikan Anthony Blinken mbajtën konferencë të përbashkët për media në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, Londër.
Lidhur me vrasjen e vullnetares të shoqërisë civile, shtetases turko-amerikane Eygi nga ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar, Blinken tha se vrasja e saj ishte pa arsye dhe e padrejtë. Askush nuk duhet të qëllohet apo të vritet për pjesëmarrje në protestë”.
Duke theksuar se askush nuk duhet të rrezikojë jetën e tij për të shprehur lirisht pikëpamjet e tij, Blinken deklaroi:
“Sipas këndvështrimit tonë, forcat izraelite të sigurisë duhet të bëjnë disa ndryshime përfundimtare në aktivitetet e tyre në Bregun Perëndimor, përfshirë ndryshimet në rregullat e angazhimit. Ne kemi parë prej kohësh disa raporte të forcave të sigurisë që mbyllin sytë kur kolonët ekstremistë sulmojnë palestinezët. Kemi parë forcat izraelite të sigurisë të përdorin forcë të tepruar kundër palestinezëve dhe tani kemi një shtetas të dytë amerikan të vrarë nga forcat izraelite të sigurisë. Kjo është e papranueshme dhe ne do t’ua bëjmë të qartë këtë shumicës së anëtarëve të qeverisë izraelite”.
Shtetasja turko-amerikane Ayşenur Ezgi Eygi (26) humbi jetën pasi u qëllua në kokë si pasojë e zjarrit të hapur nga një snajper izraelit gjatë një demonstrate anti-pushtuese të mbajtur në qytetin Beita të qytetit Nablus të Bregut Perëndimor të pushtuar më 6 shtator. Familja e Eygi-t i ka bërë thirrje administratës amerikane për një hetim të pavarur për vrasjen e fëmijës së tyre.
– SHBA-ja do të thellojë sanksionet ndaj Iranit
Sekretari amerikan Blinken njoftoi se Washingtoni do të thellojë sanksionet kundër Teheranit pasi Irani i siguroi Rusisë raketa balistike.
“SHBA-ja në orët e ardhshme do të njoftojë sanksione të reja kundër Iranit, përfshirë masa shtesë kundër Iran Air. Ne gjithashtu presim që aleatët dhe partnerët tanë të njoftojnë masat e tyre të reja kundër Iranit”, deklaroi Blinken.
Ai paralajmëroi se furnizimi i Iranit me raketa balistike për Rusinë për përdorim në Ukrainë “do të nënkuptojë përshkallëzim të theksuar” në rajon. “Rusia tani ka marrë një dërgesë të këtyre raketave balistike dhe ndoshta brenda një apo disa jave do t’i përdorë ato kundër ukrainasve në Ukrainë”, tha ai.
– Lammy dhe Blinken do të shkojnë së bashku në Kiev
Në deklaratën e tij lidhur me krizën Rusi-Ukrainë, sekretari i Jashtëm britanik Lammy deklaroi se ai dhe homologu i tij amerikan këtë javë do të bëjnë një vizitë të përbashkët në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.
Duke nënvizuar se kjo do të jetë “vizita e parë e përbashkët e këtij lloji në më shumë se 10 vjet”, Lammy tha: “Ne jemi aleatët më të afërt. Prandaj jam shumë i lumtur që do të udhëtojmë së bashku për të treguar përkushtimin tonë ndaj Ukrainës”.