“Behtel dhe Enka” do të ndërtojnë katër akse të autostradave me vlerë 1.3 miliardë euro në pesë vitet e ardhshme

“Behtel dhe Enka” do të ndërtojnë katër akse të autostradave me vlerë 1.3 miliardë euro në pesë vitet e ardhshme

Konsorciumi “Behtel dhe Enka” sot nënshkroi marrëveshje me Ndërmarrjen publike për rrugë shtetërore (NPRRSH) për ndërtimin e katër akseve të autostradave në gjatësi prej 110 kilometra në korridoret 8 dhe 10 d në pesë vitet e ardhshme. Ndërtimi do të kushtojë 1,3 miliardë euro.

“Lidhjet rrugore në të gjithë rajonin dhe në Maqedoninë e Veriut janë shumë të rëndësishme. “Behtel dhe Enka” kanë një histori të gjatë në ofrimin e projekteve, veçanërisht të atyre komplekse. Ne morëm përgjegjësinë që të sigurojmë standardin më të lartë që është shumë serioz për këtë projekt, tha Mark Allison, drejtor i përgjithshëm i “Behtel” në nënshkrimin e kontratës në Qeveri.

Për projektin “Behtel dhe Enka” janë nominuar për partner strategjik nga shteti. Mbikëqyrja do të kryhet nga IRD inzhinering, e cila si konsulent për transaksione financiare në emër të qeverisë, muajin e kaluar i udhëhoqi negociatat me konsorciumin.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi se me nënshkrimin e marrëveshjes fillon realizimi i njërit prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në historinë e vendit.

“Projekti është i një rëndësie të jashtëzakonshme për ngritjen e nivelit të cilësisë së infrastrukturës rrugore. Përmes akseve të korridoreve 8 dhe 10d, Maqedonia e Veriut bëhet një rrugë edhe më e rëndësishme rajonale dhe e transportit”, tha Kovaçevski,

Ministri i Transportit, Bllagoj Boçvarski, nga ana tjetër, porositi se vendi ka nevojë për rrugë të reja cilësore për zhvillimin e ekonomisë, transport më të shpejtë të mallrave dhe shërbimeve dhe për cilësi më të mirë të jetës së qytetarëve.

“Për këtë projekt në Buxhetin e këtij viti tashmë janë parashikuar 244 milionë euro. Pres menaxhim të mirë të proceseve, kemi shumë sfida para nesh në terren, por pres që të gjithë të bëjmë përpjekje maksimale dhe të arrijmë qëllimet e përcaktuara për infrastrukturë moderne dhe cilësore”, tha Boçvarski, duke theksuar se pret që së shpejti të shënohet fillimi i punimeve në terren.

Me marrëveshjen janë përfshirë akset në autostradë të Korridorit 8: Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë (22,5 kilometra), Gostivar – Bukojçan (30,1 kilometra), Tetovë – Gostivar (27 kilometra) dhe në seksioni Prilep – Manastir (43,4 kilometra) nga Korridori 10- d.

Qeveria dje e miratoi marrëveshjen, pasi Komiteti drejtues për këtë projekt e miratoi Raportin e IRD-së, nga negociatat me Behtel dhe Enka.

Detajet për marrëveshjen do të kumtohen në konferencë për shtyp.

MARKETING