BDI: VMRO-DPMNE akuzon njerëzit e Izet Mexhitit për korrupsion
Sot, VMRO-DPMNE ka ngritur akuza për keqpërdorime financiare në Klinikën e Fëmijëve gjatë vitit 2022, duke kërkuar përgjegjësi për zhdukjen e mbi 200.000 eurove.
Ironikisht, thonë nga BDI, drejtori i atëhershëm, i cili është pjesë e rrethit të ngushtë të Izet Mexhitit, aktualisht partner koalicioni i VMRO-DPMNE-së, është riemëruar në të njëjtën pozitë së bashku me kushëririn e tij.
“Kjo situatë tregon qartë se individë të caktuar, të lidhur me Mexhitin, kanë vazhduar praktikat e tyre të dyshimta edhe pas largimit nga BDI-ja dhe bashkimit me qeverinë aktuale.
Kjo është një nga arsyet pse asokohe Mexhiti nuk e kaloi vetingun partiak për anëtar të Qeverisë.
Prandaj, akuzat e VMRO-DPMNE-së për korrupsion në qeverinë e mëparshme në fakt përfaqësojnë një pranim të heshtur të korrupsionit te partnerët e tyre aktualë.
Ne mbështesim thirrjen për një hetim të plotë, transparent dhe jo selektiv mbi këto keqpërdorime dhe kërkojmë që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi, pavarësisht lidhjeve të tyre politike apo familjare”, qëndron në komunikatën e BDI-së.