BDI: Të shtunën nis rezistenca qytetare për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit

BDI: Të shtunën nis rezistenca qytetare për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit

BDI ka bërë sot thirrje zyrtare për pjesëmarrje në marshin e dytë protestues, i cili do të mbahet të shtunën në Tetovë, si reagim ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit për emërtimin e rrugëve dhe rikthimin e emrave të vjetër.

Në një konferencë për media, partia theksoi se protesta do të jetë paqësore dhe qytetare, me qëllim mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit, rendit kushtetues dhe sigurisë juridike.

Sipas BDI-së, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për emërtimet e rrugëve në Tetovë është shkaku i drejtpërdrejtë i mobilizimit qytetar, por shqetësimet, siç thuhet në reagim, janë më të gjera dhe lidhen me atë që partia e konsideron dobësim të mekanizmave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.

BDI rikujton se Këshilli i Komunës së Tetovës e kishte miratuar vendimin për emërtimin e rrugëve në përputhje me ligjin dhe me shumicë të dyfishtë, ndërsa Qeveria, sipas tyre, nuk kishte reaguar brenda afatit ligjor, gjë që, sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, nënkupton miratim të aktit. Partia thekson se i njëjti vendim ishte miratuar edhe një herë për të shmangur dilemat procedurale dhe se edhe atëherë Qeveria nuk kishte ndërmarrë veprime.

Sipas BDI-së, akti kishte qenë pjesë e rendit juridik për rreth 20 vjet, ndërsa vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese krijon një precedent që ngre pikëpyetje për sigurinë juridike dhe mënyrën e trajtimit të çështjeve që lidhen me Marrëveshjen e Ohrit.

Partia ka kritikuar edhe Komunën e Tetovës, duke theksuar se gjatë procedurës para Gjykatës Kushtetuese nuk iu përgjigj kërkesës për sqarime dhe dokumentacion, duke mos e mbrojtur juridikisht vendimin e saj.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se vendimet e ardhshme të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë atë që pritet për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, duhet të bazohen në Kushtetutë, Marrëveshjen e Ohrit dhe parimin e sigurisë juridike.

BDI u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen marshit të së shtunës në mënyrë paqësore dhe dinjitoze, duke e cilësuar protestën si një akt në mbrojtje të rendit kushtetues, bashkëjetesës ndëretnike dhe orientimit euroatlantik të vendit.

MARKETING