BDI: Sulmi verbal ndaj Arbana Pashollit është pasqyra e mentalitetit politik të Qeverisë pa legjitimitet etnik
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj, siç e cilëson, sulmit verbal të Ivan Stoilkoviqit ndaj deputetes Arbana Pasholli, duke e konsideruar atë pasqyrim të qasjes së Qeverisë ndaj përfaqësuesve shqiptarë. Partia kërkon përgjegjësi politike dhe reagim nga kryeministri.
“Sulmi verbal i Ivan Stoilkoviqit ndaj deputetes Arbana Pasholli nuk është incident i rastësishëm. Ai është pasqyrë e vërtetë e mentalitetit politik që sot përfaqëson Qeveria VMRO-VLEN-ZNAM – një mentalitet që fyen, nënçmon dhe sulmon përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve dhe për partnerë i zgjedh ata që janë pa legjitimitet, pa zë dhe pa dinjitet.
Është skandaloze që një person me histori të deklarimeve të hapura antishqiptare, i cili deri dje mbante postin e zëvendëskryeministrit për marrëdhënie ndërmjet bashkësive etnike, sot shpërblehet me një ministri edhe më të rëndësishme. Ky nuk është promovimi i dialogut ndëretnik, por promovim i politikës së përbuzjes, ofendimit dhe konfrontimit.
Edhe më skandaloz është fakti se ky avancim u mundësua me votat e deputetëve dhe deputeteve të VLEN-it. Ata dhe ato nuk mund të pretendojnë se përfaqësojnë interesat e shqiptarëve, ndërsa njëkohësisht votojnë për ngritjen në detyrë të një politikani që publikisht ka dëshmuar qëndrime fyese dhe armiqësore ndaj shqiptarëve. Heshtja dhe vota e tyre janë bashkëfajësi politike.
Sot u sulmua verbalisht një deputete shqiptare. Nesër, me të njëjtën logjikë, do të sulmohet çdo zë që nuk i përshtatet kësaj qeverie. Prandaj, kjo nuk është vetëm çështje e Arbanës, por çështje e dinjitetit të çdo gruaje në politikë dhe e dinjitetit të përfaqësimit politik të shqiptarëve.
BDI shpreh solidaritet të plotë me deputeten Arbana Pasholli dhe kërkon përgjegjësi politike të menjëhershme. Kryeministri nuk mund të heshtë përballë një sjelljeje të tillë, sepse heshtja do të thotë miratim.
Qeveria VMRO-VLEN-ZNAM duhet të sqarojë para qytetarëve nëse gjuha e urrejtjes, fyerjet dhe poshtërimi i deputeteve shqiptare janë standardi i ri i saj politik.
Shqiptarët nuk do të pranojnë që përfaqësuesit e tyre të fyhen, ndërsa ata që i kanë votuar të bëhen spektatorë ose bashkëpunëtorë të këtij degradimi politik”, thuhet në reagimin e BDI-së.

