BDI: Pse “gjysmëkryetarët” e VLEN-it nuk reagojnë pas deklaratës së Bekim Qokut?
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratës së udhëheqësit të koalicionit VLEN, Bekim Qoku, i cili tha se përfaqësuesit e VLEN-it në Qeveri janë “tmerrësisht të dobët”, duke e cilësuar këtë si “pranim publik të dështimit politik”.
Në reagimin e saj, BDI thekson se gjysmëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, prej disa ditësh nuk kanë komentuar deklaratën e Qokut, ndërsa ngre një sërë pyetjesh lidhur me qëndrimin e tyre në ekzekutiv.
Sipas BDI-së, nëse përfaqësuesit e VLEN-it e konsiderojnë veten të pafuqishëm për të ndikuar në vendimmarrje, atëherë nuk ka arsye të vazhdojnë të jenë pjesë e Qeverisë.
Partia opozitare i akuzon drejtuesit e VLEN-it se heshtin për, siç thuhet, degradimin e gjuhës shqipe, përjashtimin e shqiptarëve nga pozitat drejtuese dhe dobësimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore.
“Askush nuk ju ka dërguar në Qeveri për të na shpjeguar sa e fortë është VMRO-ja dhe sa të dobët jeni ju. Në Qeveri qëndrohet për të pasur ndikim, për të ndalur vendimet e dëmshme dhe për të mbrojtur qytetarët që pretendoni se i përfaqësoni. Nëse nuk mundeni, atëherë largohuni”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Më tej, BDI vlerëson se VLEN nuk mund të jetë njëkohësisht pjesë e pushtetit dhe të paraqitet si viktimë e tij, duke shtuar se mbështetja e vazhdueshme ndaj Qeverisë i jep asaj shumicë dhe legjitimitet.
Në fund të reagimit, BDI u drejton disa pyetje publike Bilall Kasamit dhe Izet Mexhitit, duke kërkuar të sqarojnë nëse kanë ndonjë “vijë të kuqe” që do t’i shtynte të largoheshin nga Qeveria, apo nëse, sipas partisë, “posti është e vetmja vijë e kuqe që nuk guxojnë ta kalojnë”.
Reagimi vjen pas deklaratës së Bekim Qokut se përfaqësuesit e VLEN-it në Qeveri janë “tmerrësisht të dobët”, deklaratë që ka nxitur përplasje të reja politike mes BDI-së dhe koalicionit VLEN.

