BDI: Marrëveshja e Ohrit pa buxhet dhe në duart e putinistit Stoilkoviq
Më poshtë e gjeni reagimin e plotë të BDI-së:
Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron që shënimi i Marrëveshjes së Ohrit nga qeveria monoetnike pa legjitimitet të popullit shqiptar dhe të tjerëve, kaloi nën hijen e faktit që organizoheshte nga putinisti i përbetuar, një mos-njohës i pavarësisë Republikës së Kosovës dhe Marrëveshjes së Ohrit si Ivan Stoilkoviq, si dhe me buxhet të sakatuar.
Të vetmit mysafirë në shënimin monoetnik sa për sy e faqe ishin vazalët puthadorë të cilët nuk kanë qenë as vrina e fundit e kavallait në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe që i kanë okupuar institucionet e shtetit si humbës të zgjedhjeve, pa legjitimitetin e votuesit shqiptar, por me para-pëlqim të VMRO DPMNEsë si në kohërat e Rrahman Morinës.
Ky poshtërim i shqiptarëve nga hyzmeçarët e VMROsë ka marrë përmasa alarmuese me tendencë që çdo e arritur në drejtim të barazisë të zhbëhet.
Platforma ligjore mbi legjitimitetin, e përgatitur si propozim nga Paul Williams dhe PILPG, parandalon vazalitetin dhe mungesën e legjitimitetit etnik të institucioneve në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
Prandaj, do të nisim konsultime publike mbi platformën për legjitimitet me botën akademike, organizatat joqeveritare, mediat dhe qytetarët që nga muaji shtator.