Von der Leyen në Ballkanin Perëndimor, të premten viziton Shkupin
Komisioni Evropian ka konfirmuar gjatë brifingut të së premtes me gazetarët vizitën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Turneu i saj do të nisë të mërkurën, pas mbledhjes së Kolegjit të Komisionarëve, me vizitën në Tiranë, ku Von der Leyen do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.
Të enjten, ajo do të udhëtojë drejt Prishtinës, ku do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti. Më pas, presidentja e Komisionit Evropian do të qëndrojë në Podgoricë, ku do të zhvillojë takime me presidentin Jakov Milatoviq dhe kryeministrin Millojko Spajiq.
Turneu do të përfundojë të premten në Shkup, ku Von der Leyen do të takohet me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.
Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Olof Gill.
“Të mërkurën, pas mbledhjes së Kolegjit të Komisionarëve, presidentja do ta fillojë vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor. Fillimisht, ajo do të udhëtojë në Tiranë, Shqipëri, ku do të takohet me presidentin Begaj dhe kryeministrin Rama. Të enjten, presidentja do ta vazhdojë vizitën në rajon në Prishtinë, Kosovë, ku do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe me kryeministrin Albin Kurti. Më pas do të udhëtojë në Podgoricë, në Mal të Zi, ku do të takohet me presidentin Jakov Milatoviq dhe kryeministrin Millojko Spajiq. Të premten, ajo do të jetë në Shkup, në Maqedoninë e Veriut, ku do të takohet me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski”, tha Gill.

