Bardhi dhe Alioski: Nëse luajmë si me Anglinë, do të kemi rezultate të mira

Bardhi dhe Alioski: Nëse luajmë si me Anglinë, do të kemi rezultate të mira

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll ka mbyllur ciklin eliminatorë të Europian 2024 me barazim 1:1 kundër Anglisë në Shkup. Enis Bardhi ishte autor i golit kundër Anglisë, përderisa Heri Kejn barazoi shifrat në pjesën e dytë. Pas ndeshjes, Enis Bardhi dhe Ezgjan Alioski janë shprehur se nëse luajnë kështu edhe në të ardhmen, do të kenë edhe rezultate më të mira.

 

Enis Bardhi, kapiten i Maqedonisë

“Ishte mirë, ndeshja e fundit e jona për vitin 2023. Mendoj se secili prej nesh e përjetoi shumë mirë. Biseduam para ndeshjes, gjatë gjithë vitit punojmë për ti përmirësuar gabimet tona, gjithçka që duhet, karakter, mentalitet dhe frymën fituese. Dhe mendoj se me plotë meritë e fituam këtë pikë, por sërish pranuam gol nga rëvënia këndore, ku si duket kjo është pika jonë e dobët, në të cilën duhet të punojmë edhe më shumë dhe të mos pranojmë kësi lloj golash. Kjo na kushton shumë kundër përfaqësueseve të forta. Do të përgatitemi për ndeshjet e radhës, mendoj se kjo përfaqësuese dhe gjeneratë ka treguar se vlen shumë dhe se duhet të respektohet më tepër”.

 

Ezgjan Alioski, reprezentues

“Ne luajtëm mirë si ekip dhe u ngritëm taktikisht. Ishte e vështirë për të krijuar raste dhe për të pasur topin, por në mbrojtje ishim të mirë dhe kështu duhet të luajmë kundër skuadrave më të mëdha. Kundër përfaqësueseve të mëdha kemi fokus dhe jemi mirë, por e njëjta gjë na duhet kundër Ukrainës e Gjeorgjisë. Me një përqendrim dhe disiplinë të tillë si kundër Anglisë, mund të bëjmë diçka edhe më shumë për të ardhmen”.

Maqedonia e Veriut e mbyll këtë cikël eliminatorë me 8 pikë pas Ukrainës, Italisë dhe Anglisë që kualifikohet në Europian si e para e grupit. Të përzgjedhurit e seleksionuesit Bllagoja Milevski do të presin shortin për edicionin e ri të Ligës së Kombëve, i cili do të hidhet muajin e ardhshëm, ndërsa me ndeshje rikthehet në mars, ku në program do të kenë disa takime kontrolluese.

Aziz Sahiti /SHENJA/

MARKETING