Ahmeti në Bërvenicë: “Fjala e qytetarëve do të jetë e qartë dhe e fuqishme”
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në promovimin e kandidaturës së Arkin Jahijit për kryetar të Komunës së Bërvenicës, nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim. Në fjalimin e tij, Ahmeti theksoi se qytetarët e Bërvenicës duhet të vendosin vetë për drejtimin e komunës.
“Sontë, në Çellopek të Bërvenicës, promovuam kandidaturën e Arkin Jahijit për kryetar të Komunës së Bërvenicës, nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim. Bërvenica meriton më mirë dhe qytetarët e saj meritojnë që drejtimi i komunës t’i besohet një biri të tyre, që i njeh nga afër nevojat dhe hallet e tyre.
Kjo nuk është çështje akrobacionesh matematikore apo pazareve politike. Është çështje e vullnetit të lirë të bërvenicasve. Ata vetë do të vendosin se kujt do t’ia besojnë drejtimin e komunës së tyre dhe unë besoj se kësaj radhe fjala e tyre do të jetë e qartë dhe e fuqishme.
Arkin Jahiji është bir i këtij vendi dhe njeri që e njeh mirë këtë trevë dhe njerëzit e saj. Besoj se mbështetja e qytetarëve për të do të sjellë një fitore të paharrueshme dhe një fillim të ri për Bërvenicën”, ka shkruar Ahmeti.

