Autoritetet kosovare arrestojnë pesë të dyshuar për pjesëmarrje në Masakrën e Reçakut

Autoritetet kosovare arrestojnë pesë të dyshuar për pjesëmarrje në Masakrën e Reçakut

Pesë persona janë arrestuar gjatë një operacioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Reçaku II”, raporton Anadolu.

Prokuroria Speciale, në një konferencë për media të dielën, ka bërë të ditur se të arrestuarit dyshohet se si pjesëtarë të formacioneve policore serbe morën pjesë në masakrën e Reçakut më 15 janar të vitit 1999.

Sipas Prokurorisë, katër prej të arrestuarve janë ish-pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, tashmë në pension, ndërsa njëri dyshohet se ishte mobilizuar në formacionet policore serbe gjatë luftës në Kosovë.

Detajet për operacionin e përbashkët të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës i kanë bërë të ditura në një konferencë për media prokurori special Ilir Morina dhe drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, major Bashkim Spahiu.

Morina tha se hetimet për këtë rast kanë vazhduar edhe pas ngritjes së aktakuzës së parë për masakrën e Reçakut, në dhjetor të vitit 2025.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës, major Bashkim Spahiu, bëri të ditur se më 3 qershor 2026, hetuesit kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale kallëzim penal ndaj gjashtë personave të dyshuar.

Sipas tij, urdhërkontrolli është pranuar më 11 qershor dhe ka përfshirë kontrollin e të dyshuarve, shtëpive të tyre, objekteve përcjellëse, si dhe pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme brenda perimetrit të banimit.

Operacioni ka filluar të dielën në orën 06:00, me përfshirjen e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, Njësisë Speciale Operative, njësive K9, Drejtorisë së Teknikës Kriminalistike dhe hetuesve për krime të rënda dhe krim të organizuar.

Spahiu ka bërë të ditur se njëri prej të dyshuarve është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Merdar, rreth orës 02:47 të mëngjesit. Ai ka bërë të ditur se policia ka kryer bastisje edhe në fshatin Berevcë të Shtërpcës, ku është kërkuar i dyshuari i gjashtë, por ai nuk është gjetur në vendbanimin e tij dhe nuk është arrestuar.

Spahiu ka thënë se gjatë operacionit, Policia ka konfiskuar një numër të konsiderueshëm provash, të cilat konsiderohen relevante për hetimin, ku mes tyre janë një armë, pjesë të uniformave ushtarake dhe policore, një emblemë e Policisë së Serbisë, pranga, shufër policore, sinjalizues për ndalimin e automjeteve dhe 43 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Spahiu ka bërë të ditur se gjatë bastisjeve janë konfiskuar gjithashtu një maskë për mbrojtje nga mjetet kimike, çantë ushtarake dhe dokumente që dëshmojnë angazhimin e të dyshuarve në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë gjatë luftës, dy videokaseta, tri palë targa automjetesh, katër telefona mobilë dhe një aparat fotografik.

Ai po ashtu ka njoftuar se policia ka sekuestruar edhe 30 mijë e 585 euro, 438 mijë e 190 dinarë serbë, me vlerë rreth 3 mijë e 745 euro, si dhe pesë dollarë amerikanë.

– Sveçla: Krimet e luftës të kryera nga forcat serbe po hetohen dhe ndiqen penalisht me intensitet të shtuar
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të pesë personave të dyshuar për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut duke thënë se krimet e luftës të kryera nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe po hetohen dhe ndiqen penalisht me intensitet të shtuar.

“Krimet e luftës të kryera nga forcat policore-ushtarake, si dhe ato paramilitare serbe, po hetohen dhe ndiqen penalisht si asnjëherë më parë, sepse nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë kompromis ndaj krimeve të kryera kundër popullatës sonë”, ka shkruar Sveçla.

Sveçla ka deklaruar se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe për këtë të gjithë personat që kanë planifikuar, urdhëruar apo kryer krime gjatë luftës në Kosovë duhet të përballen me drejtësinë.

“Plaga e dhimbjes së familjeve të viktimave dhe e mbarë shoqërisë sonë mbetet e madhe, por drejtësia është detyrim institucional dhe moral që nuk parashkruhet”, ka shkruar ministri në detyrë.

– Lista Serbe: Arrestimet e fundit të serbëve përfaqësojnë një valë të re frikësimi
Partia serbe në Kosovë, Lista Serbe, ka reaguar lidhur me aksionin e Prokurorisë Speciale të Kosovës në kuadër të hetimeve për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”, ku janë arrestuar pesë persona.

Në një reagim publik, kjo parti ka vlerësuar se arrestimet e fundit të serbëve përfaqësojnë, siç thuhet në deklaratë, një valë të re frikësimi dhe presioni ndaj komunitetit serb në Shtërpcë dhe Gjilan. Sipas tyre, këto veprime synojnë krijimin e një atmosfere pasigurie ndaj popullit serb në Kosovë.

Lista Serbe e ka cilësuar situatën si presion të motivuar politikisht ndaj komunitetit serb dhe ka kritikuar, siç thuhet në deklaratë, mungesën e reagimit nga përfaqësuesit ndërkombëtarë për këto raste.

I pyetur për reagimet e përfaqësuesve politikë serbë ndaj operacionit, prokurori Morina deklaroi se proceset gjyqësore nuk mund të vlerësohen përmes deklarimeve politike.

Morina theksoi se në tri raste të fundit për krime lufte, gjykatat në Kosovë kanë liruar tre të pandehur për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme. Sipas tij, kjo dëshmon se sistemi i drejtësisë në Kosovë funksionon në mënyrë të pavarur dhe se vendimet merren në bazë të provave të paraqitura gjatë procedurës gjyqësore.

MARKETING