ASH – Sela: Në Qeveri, presidencë dhe ministri gjuha shqipe me zbatim 0%
Aleanca për Shqiptarët (ASH), e udhëhequr nga Ziadin Sela, ka reaguar lidhur me deklarimet se në Kuvend është zbatuar plotësisht Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, duke i cilësuar ato si “lavdërime qesharake”.
Lidhur me këto deklarime, nga ASH thonë se
kryeparlamentari Afrim Gashi në të kaluarën ka deklaruar se gjuha shqipe nuk është zyrtare, ndërsa tani, sipas tyre, po paraqitet si zbatues i plotë i ligjit.
Postimi i plotë i ASH krahu i Selës:
Në mënyrë qesharake lavdërohen se Afrim Gashi e paska implementuar 100% Ligjin për Gjuhën Shqipe në Kuvend, ndërkohë që ai vetë deklarohej se Gjuha Shiqpe nuk është zyrtare. Nëse ka ndonjë progres në Kuvend, ka vetëm në materialet për shkak të refuzimit tonë dhe detyrimit që në çdo seancë të na sigurojnë materialet edhe në shqip, siç ishte bllokada e fundit e deputetes Ilire Dauti dhe intervenimeve e reagimeve të shumta edhe të deputetit Elmi Aziri dhe betejave të Liderit tonë, Ziadin Sela, i cili është edhe meritori për ligjin që në 2017 e vendosi si kusht për Qeverinë. Atëherë kur bashkë me Gjuhën Shqipe u zgjodh edhe kryeparlamentari i parë shqiptarë, e kur Afrim Gashi me shokët e tij ikën nga Kuvendi.
Por, edhe në Kuvend, në rastet kur falë insistimit të deputetëve tanë përdoret Gjuha Shqipe, Afrim Gashi përsëri është i dështuar. Në materialet në Gjuhën Shqipe, ai nuk nënshkruhet duke e çuar në vend fjalën e tij dhe duke mos njohur ligjin, për të cilin sot miqtë e tij lavdërohen si sukses.
Madje edhe në përkthimet që duket se ai nuk i lexon, në verzionin shqip ka lëshime skandaloze. Emri i shtetit është përkthyer si “Maqedonia e Jugut”. A është ky një gabim apo një paralajmërim për ta bërë Maqedoninë e Veriut pjesë të Botës Sërbe (Banovina e Jugut)?
Eksponentët e pushtetit në vend se të lavdërohen për mundin e huaj, duhet të japin llogari, pse në Qeveri dhe shumicën dërmuese të minisrtrive përdorimi i Gjuhës Shqipe është 0%?
Aleanca për Shqiptarët
Ziadin Sela, Kryetar





