ASH: Konfirmohet legjitimiteti juridik i Arben Taravarit si kryetar i partisë

ASH: Konfirmohet legjitimiteti juridik i Arben Taravarit si kryetar i partisë

Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë ankesën e Ziadin Selës, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore të Tetovës dhe duke konfirmuar kështu të drejtën e Arben Taravarit mbi drejtimin e Aleancës për Shqiptarët (ASH).

Me këtë vendim të shkallës së dytë, merr fund beteja gjyqësore disavjeçare mes dy kampeve për legjitimitetin e udhëheqjes së partisë, kryetarin dhe vulat e saj. Në bazë të vendimit, Arben Taravari mbetet kryetar i njohur ligjërisht i ASH-së, i regjistruar në Regjistrin gjyqësor të partive politike.

Vendimi i Apelit vjen pas aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Tetovës, të marrë në mars të vitit 2026. Pas seancës dëgjimore të mbajtur më 3 mars, kjo gjykatë kishte bashkuar në një procedurë të vetme kërkesat e të dyja palëve, duke vendosur në favor të krahut të udhëhequr nga Taravari dhe duke i refuzuar si të pabazuara kërkesat e Ziadin Selës.

Sipas vendimit gjyqësor, është pranuar kërkesa e paraqitur nga Arben Taravari më 7 mars 2024, lidhur me ndryshimet në statutin e partisë. Përmes këtij vendimi shfuqizohet statuti i miratuar në Kongresin e 3-të të Jashtëzakonshëm, më 24 dhjetor 2022, ndërsa rikthehet në fuqi statuti i miratuar në Kongresin e 2-të, më 27 mars 2022.

Ky ndryshim është në përputhje me vendimin e Kongresit të 4-t të Jashtëzakonshëm të ASH-së, të mbajtur më 16 shkurt 2024 në Shkup.

Nga ana tjetër, gjykata ka refuzuar kërkesën e Ziadin Selës për t’u regjistruar si kryetar i ri i partisë, si dhe kërkesat e tij për miratimin e ndryshimeve të tjera statutare.

Me konfirmimin e këtij vendimi nga Gjykata e Apelit, pozita e Arben Taravarit në krye të Aleancës për Shqiptarët merr edhe mbështetjen përfundimtare në këtë proces gjyqësor.

MARKETING