Nikollovski: Së shpejti memorandum për bashkëpunim me Departamentin e sigurisë kombëtare të SHBA-së
Drejtoria e doganave dhe Departamenti i sigurisë kombëtare të SHBA-së po punojnë intensivisht për finalizimin e Memorandumit të mirëkuptimit i cili pritet të nënshkruhet së shpejti ndërmjet dy institucioneve. Nënshkrimi i këtij dokumenti me departamentin amerikan në kompetencat e të cilit bën pjesë edhe Shërbimi i doganave dhe Mbrojtjes së kufirit të SHBA-së ka rëndësi historike për shtetin. Këtë e bëri të ditur drejtori Boban Nikollovski gjatë paraqitjes së tij në edicionin qendror të lajmeve në Radio Televizionin e Maqedonisë.
Nisma është dakorduar gjatë vizitës zyrtare të punës së drejtorit Nikollovski në SHBA. Për realizimin e saj, Nikollovski shprehu mirënjohje për ambasadën amerikane dhe Programin ndërkombëtar të trajnimit dhe ndihmës për hetimet penale (ICITAP), i cili funksionon në kuadër të Divizionit penal të Departamentit të drejtësisë së SHBA-së.
Sipas Nikollovskit, vizita në Shërbimin e doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA-së përfaqëson një shpërblim dhe vlerësim për përkushtimin e Doganës në fushën e sigurisë kufitare dhe rëndësia e saj është edhe më e madhe, pasi një vizitë e tillë realizohet për herë të parë në historinë e Drejtorisë së doganave.
“Ky është një moment historik, sepse një vizitë e tillë pune, gjatë së cilës është dakorduar nënshkrimi i Memorandumit të mirëkuptimit, nuk ka ndodhur më parë dhe pikërisht udhëheqja aktuale e Drejtorisë së doganave e bëri këtë hap. Përparimi që do të arrijmë në Drejtorinë e doganave do të jetë i dukshëm në të gjithë territorin e shtetit. Kjo nënkupton shkëmbim më të shpejtë të informacionit, në kohë reale, teknologji të reja në punë dhe trajnime të reja të avancuara“, theksoi Nikollovski.
Ai tha se qëllimi i përbashkët është i qartë: kufij më të sigurt, kontrolle doganore më efikase dhe lehtësim i tregtisë legale.
Nëpërmjet partneriteteve të fuqishme ndërkombëtare, metodave bashkëkohore të analizës së riskut dhe bashkëpunimit të përkushtuar institucional, mbetemi të vendosur fuqishëm për modernizimin e Drejtorisë së Doganave dhe forcimin e kapaciteteve të saj operacionale, në interes të shtetit tonë, ekonomisë dhe sigurisë së qytetarëve.

