Kontrabandë në Bogorodicë: Sekuestrohen 5.000 kuti cigare me vlerë 9 milionë denarë

Kontrabandë në Bogorodicë: Sekuestrohen 5.000 kuti cigare me vlerë 9 milionë denarë

Prokuroria Themelore Publike në Gjevgjeli ka nisur procedurë penale kundër një shtetasi serb, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kontrabandë”, pasi në pikën kufitare Bogorodicë është kapur duke transportuar një sasi të madhe cigaresh të padeklaruara.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari, i cili ishte pronar i një kompanie serbe, në hyrje të vendit kishte transportuar me kamion 5.000 kuti cigare të markave “Marlboro”, “Davidoff” dhe “Winston”, të vendosura në 100 kuti kartoni pa shenja identifikuese.

Vlera e përgjithshme e cigareve të sekuestruara vlerësohet në rreth 9 milionë denarë.

I dyshuari kishte deklaruar në dokumentacionin doganor se po transportonte granula propileni. Megjithatë, gjatë kontrollit të kamionit, doganierët zbuluan cigaret e padeklaruara në pjesën e përparme dhe në mes të rimorkios, të cilat u sekuestruan menjëherë.

Lidhur me rastin, prokurori publik i ka paraqitur gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Prokurorisë, kërkesa për paraburgim është arsyetuar me ekzistimin e rrethanave që tregojnë rrezik të arratisjes së të dyshuarit.

MARKETING