ASH: Inkurajojmë Mickoskin që sa më shpejt t’i shpall zgjedhjet e reja parlamentare
Aleanca për Shqiptarët krahu i Arben Taravarit, përmes një komunikate ka shprehur qëndrimin e saj lidhur me deklaratën që dha sot kryeministri Mickoski, për zgjedhje të shpejta parlamentare në vend. Sipas ASH-së, për shqiptarët zgjedhjet janë shpëtimi i vetëm nga përfaqësuesit e pafuqishëm të shqiptarëve VLEN, të cilët kanë tradhëtuar rëndë pritshmëritë e shqiptarëve.
Komunikata e plotë e Aleancës për Shqiptarët:
Aleanca për Shqiptarët mbështet dhe inkurajon kryeministrin e vendit që sa më parë t’i bëjë thirrje kuvendit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për të mundësuar lehtësimin dhe debllokimin e procesit eurointegrues të vendit, i cili po mbahet peng nga kjo qeveri.
Për shqiptarët zgjedhjet janë shpëtimi i vetëm nga përfaqësuesit e pafuqishëm të shqiptarëve VLEN, të cilët kanë tradhëtuar rëndë pritshmëritë e shqiptarëve.VLEN mori përgjegjësinë për të hequr balancuesin dhe e zëvendësoi atë me një ligj skandaloz për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke penguar reformën e vërtetë.
Ky formacion politik i quajtur VLEN nuk kishte fuqinë politike për të mundësuar provimin e jurispodencës në gjuhën shqipe për studentët shqiptar dhe nuk i mbështeti ata, nuk e realizoi premtimin për ndryshime kushtetuese edhe pse vetë liderët e VLEN-it deklarativisht e kishin kusht për këtë qeveri duke kërcënuar madje se nëse nuk realizohen ndryshimet kushtetuese ne do ta lëshojmë qeverinë, gjë që nuk ndodhi, lejoi degradimin e gjuhës shqipe në institucione dhe solli nënçmim institucional ndaj shqiptarëve.
Në vend të barazisë, VLEN ka sjellë nënçmim. Në vend të reformave të thella, ka krijuar bllokada të turpshme. Në vend të përshpejtimit të integrimeve evropiane, ka shkaktuar ngecje të rënda dhe pasiguri të frikshme.
Qytetarët po përballen çdo ditë me çmime të larta, të papërballueshme për xhepin e tyre për shkak të pagave të ulëta dhe një të ardhmeje pa shpresë që shumë të rinjë i ka detyruar edhe të emigrojnë.
Aleanca për Shqiptarët ka paralajmëruar në vazhdimësi se kjo qeveri me VLEN në pushtet nuk kanë as kapacitet politik dhe as vullnet demokratik për të përfaqësuar me dinjitet qytetarët në veçanti shqiptarët dhe për të çuar vendin përpara, prandaj ne bëjmë thirrje, të lejohen qytetarët që nëpërmjet zgjedhjeve të reja, të lira, fer dhe demokratike të marrin fatin e tyre në dorë, të vendosin se kujt do t’ia japin besimin për t’i përfaqësuar siç duhet, dhe të ndëshkojnë me votë ata që tradhtuan besimin duke mos përmbushur premtimet e tyre, duke filluar nga VLEN.
Në këtë ngërç politik e diplomatik, në këtë kohë të krizës së thellë ekonomike dhe sociale, zgjedhjet nuk janë thjesht një opsion, ato janë zgjidhja e vetme. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut meritojnë të marrin fatin e tyre në dorë, të hedhin poshtë dështimet e kësaj qeverie dhe të VLEN, dhe të zgjedhin përfaqësues që do ta çojnë vendin përpara me dinjitet dhe prosperitet.

