VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në për përhapje të dezinformatave lidhur me Alta Bankën
VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në se po vazhdon të përhapë akuza dhe informacione të pabazuara lidhur me Alta Bankën. Sipas partisë në pushtet, pasi nuk arriti të krijojë panik te qytetarët me pretendimet e mëparshme, opozita tani po kritikon edhe ankandin publik për këtë bankë.
Nga VMRO-DPMNE thonë se procedura e ankandit është publike dhe transparente, ndërsa akuzojnë LSDM-në dhe kryetarin e saj, Venko Filipçe, se po përpiqen ta paraqesin atë si një marrëveshje të fshehtë.
Partia në pushtet rikujton se LSDM më herët kishte ngritur pretendime për transfere të dyshimta parash drejt Serbisë dhe Rusisë, si dhe për rrezik të falimentimit të bankës dhe humbjes së kursimeve të qytetarëve. Sipas VMRO-DPMNE-së, këto pretendime nuk janë dëshmuar.
VMRO-DPMNE njofton gjithashtu se me Kodin e ri Penal parashihet të futet një vepër e re penale, që do të dënojë me burg publikimin e informacioneve të pavërteta që rrezikojnë stabilitetin e sistemit bankar.
Me këtë reagim, VMRO-DPMNE i përgjigjet kritikave të LSDM-së lidhur me Alta Bankën dhe procedurën e ankandit publik.

